KORREKT / SOT29 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Tregtia e gomarëve nga Pakistani drejt Kinës rrezikon jetesën e banorëve në zonat rurale

Tregtia e gomarëve nga Pakistani drejt Kinës rrezikon jetesën e banorëve në zonat rurale

Rritja e kërkesës për lëkurët e gomarëve në Kinë ka nxitur tregtinë e këtyre kafshëve në Pakistan, duke rritur çmimet dhe duke vënë në vështirësi familjet që prej vitesh sigurojnë jetesën përmes punës me to.

Muhammad Noor ulet në një shtrat tradicional prej druri, përpara shtëpisë së tij në Kulahu, pranë Tumpit, në provincën jugperëndimore të Balochistanit në Pakistan. Përballë tij qëndron një karrocë e vjetër, me goma të dëmtuara dhe pa kafshët që dikur e tërhiqnin.

Për vite me radhë, Noor siguroi të ardhurat e familjes duke transportuar dru, rërë dhe gurë për banorët e zonës. Gjatë sezonit të vjeljes së hurmave, gomarët ishin veçanërisht të rëndësishëm, pasi e ndihmonin të transportonte prodhimet dhe të siguronte të ardhura shtesë për familjen, shkruan Aljazeera, transmeton IndeksOnline.

Por në korrik, ai u detyrua t’i shiste të dy gomarët për të paguar një ndërhyrje urgjente kirurgjikale për bashkëshorten, e cila po humbiste shikimin. Pa kursime dhe pa alternativa të tjera, Noor pranoi ofertën e një tregtari lokal të kafshëve.

Gomari mashkull, më i fuqishmi, u shit për 75 mijë rupi (rreth 270 dollarë), ndërsa femra për 44 mijë rupi (rreth 158 dollarë).

“Mendova se paratë do të ndihmonin në rikthimin e shikimit të bashkëshortes dhe se më vonë do të mund të blija një gomar tjetër”, tregon Noor. “Por sot një gomar i mirë pune kushton 100 mijë rupi (rreth 360 dollarë) ose më shumë. Nuk kam mundësi ta blej”.

Çmimet në rritje, familjet në vështirësi

Shitja e dy gomarëve mundësoi trajtimin mjekësor të bashkëshortes së tij, por njëkohësisht i mori familjes burimin kryesor të të ardhurave.

Më parë, dy kafshët i siguronin rreth 1.000 rupi (4 dollarë) në ditë. Tani Noor detyrohet të punojë punë të rastit, duke fituar rreth 500 rupi (2 dollarë) në ditët më të mira, ndërsa ndonjëherë nuk fiton asgjë.

Vajza e tij e madhe është detyruar ta ndërpresë shkollimin, familja ka reduktuar konsumin e ushqimit dhe nevojat e tjera shëndetësore janë shtyrë për një kohë tjetër.

“Tregtari më tha se gomarë do të kishte gjithmonë dhe se çmimet do të uleshin”, rrëfen Noor për Al Jazeera. “Ai gaboi. Shita mënyrën time të jetesës dhe tani nuk mund ta rikthej më”.

Në të gjithë distriktin Kech, banorët thonë se tregtarët po blejnë gjithnjë e më shumë gomarë endacakë dhe kafshë nën peshë në fshatrat e zonës Dasht, një nënnjësi rurale pranë qytetit-port të Gwadarit. Më pas, kafshët rishiten përmes ndërmjetësve.

Gomarët që blihen për 4.000 deri në 5.000 rupi (14–18 dollarë), mund të shiten për 8.000 deri në 10.000 rupi (28–36 dollarë) në Turbat, qytetin kryesor të distriktit dhe qendrën e tij tregtare.

Një tregtar nga Dannuk, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, tha se një gomar i blerë lokalisht për 4.000 rupi mund të shitet për rreth 15.000 rupi (54 dollarë), pasi të kalojë te ndërmjetësit në Gwadar.

Megjithatë, për disa familje humbja e këtyre kafshëve nuk vjen si pasojë e shitjes, por e vjedhjes.

Në Chahsar, në periferi të Turbatit, Jumma Baloch tregon se gomari i vetëm që kishte për punë iu vodh një muaj më parë, ndërsa ishte i lidhur jashtë shtëpisë.

“U zgjova në mëngjes dhe gomari nuk ishte më aty”, thotë ai. “Njerëzit thonë se gomarët e vjedhur dërgohen te ndërmjetësit në qytet, të cilët furnizojnë biznesin e eksportit”.

Pa kafshën, Jumma është detyruar të kërkojë punë të përkohshme. Ndërkohë, rritja e çmimeve e ka bërë pothuajse të pamundur blerjen e një gomari tjetër.

Tregu kinez i prodhimit të ejiaos

Shitja e detyruar e gomarëve nga Noor dhe vjedhja e kafshës së Jumma-s pasqyrojnë shqetësimin në rritje të pronarëve të kafshëve të punës në Balochistan. Popullata e gomarëve në Pakistan po bëhet pjesë e një zinxhiri ndërkombëtar furnizimi, i cili synon tregun gjithnjë e më të madh të Kinës.

Në qendër të këtij tregu është ejiao, një produkt i mjekësisë tradicionale kineze, që prodhohet duke zier lëkurën e gomarit për të nxjerrë xhelatinën. Produkti promovohet me pretendime për përfitime shëndetësore, përfshirë përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe trajtimin e anemisë.

Një studim i publikuar në vitin 2024 në revistën shkencore Journal of Contemporary China vlerëson se industria e ejiaos kërkon çdo vit nga katër deri në pesë milionë lëkura gomarësh.

Popullata vendase e gomarëve në Kinë nuk arrin të përmbushë këtë kërkesë, duke nxitur importet nga vendet e tjera.

Presioni mbi popullatën e gomarëve në Afrikë bëri që Bashkimi Afrikan, në shkurt të vitit 2024, të miratonte një moratorium në nivel kontinental për therjen masive të gomarëve me qëllim eksportimin e lëkurëve të tyre.

Ndërkohë, Pakistani po shfaqet gjithnjë e më shumë si një furnizues potencial për këtë industri. Sipas të dhënave të publikuara në raportin ekonomik të Pakistanit për vitin fiskal 2025–2026, numri i gomarëve në vend vlerësohet në rreth 6.2 milionë, duke e renditur Pakistanin ndër vendet me popullatën më të madhe të këtyre kafshëve.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.