KORREKT / SOT29 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Alarm për bankat dhe institucionet në Zvicër, kompjuterët kuantikë mund të thyejnë sistemet e enkriptimit deri në vitin 2030

Alarm për bankat dhe institucionet në Zvicër, kompjuterët kuantikë mund të thyejnë sistemet e enkriptimit deri në vitin 2030

Kompjuterët kuantikë mund të përbëjnë një kërcënim serioz për sistemet aktuale të sigurisë digjitale deri në vitin 2030, pasi teknologjia e gjeneratës së re pritet të ketë kapacitetin për të thyer sisteme enkriptimi që sot konsiderohen të sigurta.

Paralajmërimi është ngritur nga ekspertët e teknologjisë dhe sigurisë kibernetike, ndërsa në rrezik mund të jenë të dhënat bankare, informacionet shëndetësore dhe komunikimet konfidenciale.

Sipas një raportimi të publikuar nga Swissinfo, duke iu referuar televizionit publik zviceran SRF, ekspertët e quajnë këtë moment të mundshëm “Q-Day”, dita kur kompjuterët kuantikë do të jenë në gjendje të depërtojnë në sistemet tradicionale të enkriptimit.

Koha e saktë nuk dihet, por parashikimet e ekspertëve e vendosin këtë zhvillim rreth vitit 2030, transmeton Telegrafi.

Shqetësimi është veçanërisht i madh për sektorin financiar zviceran.

Sipas një ankete të Autoritetit Mbikëqyrës të Tregut Financiar në Zvicër (FINMA), 70% e bankave dhe kompanive të sigurimeve kanë deklaruar se ende nuk kanë ndërmarrë masa konkrete për t’u përgatitur ndaj këtij kërcënimi.

Vetëm 8% kanë marrë vendime strategjike në nivel drejtues për kalimin në sisteme të sigurta ndaj sulmeve kuantike.

Eksperti i teknologjisë kuantike Damir Bogdan, themelues dhe drejtues i strategjisë në kompaninë Quantum Basel, ka paralajmëruar se koha në dispozicion po shkurtohet dhe se institucionet duhet të veprojnë menjëherë.

Ai theksoi se siguria kuantike duhet të trajtohet si çështje strategjike në nivelet më të larta drejtuese të kompanive.

Një tjetër rrezik është praktika e njohur si “Harvest now, decrypt later”, që në shqip nënkupton “mbledh tani, deshifro më vonë”.

Kjo do të thotë se hakerët ose aktorë të tjerë mund të mbledhin që tani sasi të mëdha të dhënash të koduara, të cilat nuk mund t’i lexojnë aktualisht, por mund t’i deshifrojnë në të ardhmen, kur kompjuterët kuantikë të kenë kapacitetin e nevojshëm.

Autoriteti FINMA u ka rekomanduar bankave dhe kompanive të sigurimeve të hartojnë plane konkrete për kalimin drejt teknologjive të sigurta ndaj kompjuterëve kuantikë. Institucioneve u është kërkuar që deri në verën e ardhshme të paraqesin një plan veprimi për këtë proces.

Megjithëse kompjuterët kuantikë aktualisht janë të paktë, të kushtueshëm dhe ende në fazën e zhvillimit, ekspertët paralajmërojnë se institucionet nuk duhet të presin deri në momentin kur kërcënimi të bëhet real.

Kalimi në sisteme të reja sigurie kërkon ndryshime të thella teknologjike dhe jo thjesht përditësime të zakonshme të programeve kompjuterike./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.