Në një datë me rëndësi të veçantë kombëtare, më 28 Nëntor, në Qeverinë e Republikës së Kosovës është formalizuar marrëveshja për bashkëdrejtimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, nën udhëheqjen e Enkel Rexhepit.
Në këtë takim, ku ishte i pranishëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shënua një tjetër hap drejt konsolidimit të bashkëpunimit politik dhe institucional ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës, transmeton IndeksOnline.
Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili ka vlerësuar se marrëveshja përfaqëson vazhdimësi të bashkëpunimit të nisur me bashkimin në zgjedhjet parlamentare.
Kamberi theksoi se respektimi i vullnetit të qytetarëve, gjithëpërfshirja dhe ndarja proporcionale e përgjegjësive duhet të jenë parimet themelore mbi të cilat do të funksionojë Këshilli Kombëtar Shqiptar.
Ai gjithashtu nënvizoi se ky institucion nuk duhet të pengohet nga dallimet partiake, por të shërbejë si një mekanizëm i përbashkët për realizimin e interesave kombëtare të shqiptarëve të Luginës.
Në reagimin e tij, Kamberi shprehu mirënjohje për Kurtin për angazhimin në bashkimin e politikës shqiptare në Luginë dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Kosovës.
“Përbashkimi duhet të dëshmohet me bashkëpunim, punë dhe rezultate konkrete për qytetarët tanë”.

