Bashkatdhetarët shqiptarë në Kroaci kanë kremtuar Ditën e Flamurit në Vishkovo, pranë Rijekës, në një manifestim të shoqëruar me këngë, poezi dhe emocione festive.
Manifestimi u organizua nga Bashkësia Shqiptare e Prefekturës Bregdetaro-Malore, Këshilli Shqiptar i Qytetit të Rijekës dhe ai i Prefekturës, si dhe Bashkësia Shqiptare “Rilindja” nga ishulli i Cresit.
Në këtë aktivitet morën pjesë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, Konsulli i Nderit i Kosovës për Prefekturën e Istrës dhe atë Bregdetaro-Malore, Gjergj Lekaj, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Shqipërisë dhe institucioneve kroate.
Gjatë fjalimit të tij, ambasadori Berishaj përcolli urimet e institucioneve të Kosovës për Ditën e Flamurit, duke rikujtuar rrugëtimin historik të popullit shqiptar, sakrificat ndër breza dhe rëndësinë e 28 Nëntorit për shqiptarët kudo që jetojnë.
Ai theksoi rolin e pushkës dhe të penës në përpjekjet për liri, duke vënë në pah rëndësinë historike dhe kombëtare të kësaj date.
Komuniteti shqiptar në Prefekturën Bregdetaro-Malore dhe atë të Istrës përbën një pjesë të rëndësishme të mozaikut shumëkulturor të Kroacisë. Përmes aktiviteteve të tilla, shqiptarët vazhdojnë të ruajnë gjuhën, kulturën dhe traditat kombëtare, duke kontribuar edhe në jetën shoqërore të vendit ku jetojnë.

