Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka kritikuar Ministrinë e Financave për dështimin në zbatimin e reformës së tatimit në pronë, duke thënë se komunat ishin lënë jashtë procesit të hartimit të ndryshimeve ligjore.
Në një deklaratë për Telegrafin, Ibrahimi ka theksuar se Ministria e Financave nuk e kishte përfshirë AKK-në në grupin punues për hartimin e ndryshimeve ligjore të vitit 2023, ndonëse komunat ishin ato që duhej t’i zbatonin.
“Ministria e Financave dështoi ta zbatojë reformën e tatimit në pronë pasi i la komunat jashtë hartimit të saj”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka rikujtuar se shkalla progresive e tatimit në pronë ishte miratuar në vitin 2023, por zbatimi i saj ishte shtyrë, ndërsa tani Ministria po propozon heqjen e saj.
Sipas tij, projektligji i ri që u është dërguar komunave rikthen në masë të madhe modelin e ligjit të vitit 2018, në hartimin e të cilit AKK-ja kishte qenë e përfshirë.
“Shteti nuk mund të ecë përpara me reforma duke i lënë komunat jashtë”, ka theksuar Ibrahimi.
Kreu i AKK-së ka kërkuar që Ministria e Financave të japë llogari publikisht për dështimin e reformës së vitit 2023 dhe që Asociacioni të përfshihet në grupin punues për finalizimin e projektligjit.
Ai ka kërkuar gjithashtu që, para procedimit të projektligjit, komunave t’u prezantohet ndikimi i ndryshimeve të propozuara në faturat e qytetarëve, të hyrat komunale dhe koston e zbatimit.
“Para se ta procedojë projektligjin, Ministria duhet t’ua paraqesë komunave ndikimin e ndryshimeve në faturat e qytetarëve, në të hyrat komunale dhe në koston e zbatimit”, ka thënë Ibrahimi. /Telegrafi/

