Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me drejtorin e Arsimit, Samir Shahini, morën pjesë sot në shkollën “Xhemajl Mustafa” në një aktivitet të veçantë për prezantimin e një projekti që synon të rrisë sigurinë dhe përgatitjen e nxënësve dhe mësimdhënësve në botën digjitale.
Në aktivitet ishin të pranishëm edhe Ambasadorët e Finlandës dhe Suedisë, si dhe partnerët nga EEI.
Ky projekt ofron mësimdhënësve mjete dhe udhëzime praktike për: dallimin e informacionit të saktë nga dezinformimi, përdorimin e sigurt të internetit, zhvillimin e mendimit kritik tek të rinjtë.
“Kjo iniciativë do të ndihmojë që shkollat tona të jenë hapësira ku fëmijët mësojnë jo vetëm nga librat, por edhe si të mbrohen dhe të mendojnë në mënyrë të pavarur në epokën digjitale,” tha Kryetari Rama.
Drejtori i Arsimit, Samir Shahini, theksoi se projekti do të mbështesë mësimdhënësit për t’u ofruar nxënësve njohuri të domosdoshme për të naviguar në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme në internet. /Telegrafi/