Një problem në bërryl dyshohet të ketë qenë arsyeja që Nelson Hysa nuk arriti ta vazhdonte meçin ndaj Agit Kabayelit, në përballjen për titullin e botës në peshat e rënda.
Boksieri shqiptar e pa të përfundonte para kohe sfidën në Dusseldorf, pasi këndi i tij hodhi peshqirin e bardhë në ring, duke sinjalizuar dorëzimin në raundin e dytë.
Sipas raportimit të mediumit britanik The Sun, Hysa dukej se kishte dhimbje dhe në një moment nisi të godiste vetëm me dorën e djathtë, pasi dyshohet se kishte pësuar një lëndim në bërryl. Kjo mund të shpjegojë edhe arsyen pse stafi i tij vendosi të mos e lejonte të vazhdonte përballjen.
Dy fotografitë nga momentet pas ndërprerjes së meçit japin një tjetër detaj domethënës. Në to, Hysa shihet duke u kontrolluar nga mjekët, të cilët ia mbajnë dhe ia prekin pjesën e krahut pranë bërrylit, ndërsa boksieri shfaqet me dhimbje në fytyrë.
Kështu, pamjet përputhen me raportimin për një problem të mundshëm në bërryl, ndonëse deri më tani nuk është publikuar ndonjë konfirmim zyrtar mjekësor për natyrën dhe shkallën e lëndimit.
Hysa hyri në këtë përballje me një bilanc prej 25 fitoresh në po aq meçe, 23 prej tyre me nokaut, por nuk arriti ta shfrytëzonte mundësinë për t’u shpallur kampion bote.
Në anën tjetër, Agit Kabayel regjistroi fitoren e 28-të në karrierën profesioniste dhe mbrojti titullin e botës në WBC./Telegrafi/

