Real Madridi ka pësuar një humbje të papritur në shtëpi nga Alavesi me rezultat 2-1, në kuadër të javës së 14-të të La Ligës, duke humbur pikë të rëndësishme në garën për titullin e kampionit.
Skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho nuk arriti ta shfrytëzonte faktorin vendas, ndërsa Alavesi tregoi efikasitet dhe shfrytëzoi gabimet e madrilenëve për të marrë tri pikë të mëdha.
Goli i parë erdhi në minutën e 22-të, kur Toni Martinez përfitoi nga një gabim i rëndë i mbrojtjes së Real Madridit dhe dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Madrilenët tentuan të reagonin, ndërsa Jude Bellingham pati një mundësi të mirë në minutën e 34-të, por goditja e tij përfundoi mbi portë. As tentimi i Kylian Mbappes në minutën e 44-t nuk solli ndryshim të rezultatit.
Në fillim të pjesës së dytë, Alavesi goditi sërish. Angel Perez përfitoi nga një asistim i Mariano Diazit dhe në minutën e 61-të shënoi për 2-0, duke e vështirësuar edhe më shumë misionin e vendasve.
Reagimi i Real Madridit erdhi tetë minuta më vonë. Kylian Mbappe përfitoi nga një pasim i mirë brenda zonës dhe me një goditje të fuqishme shënoi për 2-1, duke rikthyer shpresat për një përmbysje.
Në minutat e fundit, skuadra e Mourinhos u hodh në sulm në kërkim të barazimit. Carlos Espi ishte shumë pranë golit në minutën e 85-të, por goditja e tij u ndal nga shtylla.
Dy minuta më vonë, gjyqtari fillimisht akordoi penallti për Real Madridin pas një ndërhyrjeje të Nicolas Valentinit, por pas rishikimit të pamjeve përmes VAR-it e anuloi vendimin, duke e përjashtuar më pas Jude Bellingham për simulim pas dy kartonëve të verdhë.
Real Madridi pati edhe një mundësi të fundit në minutat shtesë, por Carlos Espi nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë, duke shpërdoruar një rast të mirë brenda zonës.
Kjo humbje mund t’i kushtojë edhe më shumë Real Madridit në garën për titull, pasi nëse Barcelona fiton të dielën ndaj Deportivo La Corunas, epërsia e katalanasve ndaj madrilenëve do të rritet në gjashtë pikë./Telegrafi/

