Përfshirja e fëmijëve në përgatitjen e ushqimit zhvillon kreativitetin, përgjegjësinë dhe vetëbesimin, por kërkon edhe respektimin e disa rregullave të sigurisë
T’i mësoni fëmijës të lidhë lidhëset e këpucëve, të ngasë biçikletën apo të kujdeset për higjienën personale është pjesë e natyrshme e edukimit. Megjithatë, edhe gatimi është një aftësi e rëndësishme jetësore, të cilën fëmijët mund të fillojnë ta përvetësojnë që në moshë të hershme.
Nëse fëmija juaj shfaq interes për kuzhinën, nuk është e nevojshme të jeni ekspert i gatimit për ta ndihmuar të zhvillojë këtë pasion.
Përveçse përgatiten për një jetë më të pavarur, fëmijët që mësojnë të gatuajnë mund të zhvillojnë edhe një marrëdhënie më të shëndetshme me ushqimin.
Në çfarë moshe mund të fillojnë fëmijët të gatuajnë?
Sipas Institutit Kombëtar Amerikan të Zemrës, Mushkërive dhe Gjakut, fëmijët që në moshën dyvjeçare mund të përfshihen në aktivitete të thjeshta në kuzhinë.
Ata mund të lajnë fruta dhe perime, të përziejnë përbërësit, të hedhin përbërës të matur paraprakisht në enë dhe të ndihmojnë në sistemimin e tavolinës. Natyrisht, të gjitha këto duhet të bëhen nën mbikëqyrjen e prindërve.
Me rritjen e fëmijës mund të shtohen gradualisht edhe përgjegjësitë.
Mosha nga tetë deri në 12 vjeç konsiderohet një periudhë e përshtatshme për të mësuar bazat e gatimit. Në këtë fazë, fëmijët i kuptojnë më mirë rreziqet, dinë të matin përbërësit dhe mund të lexojnë e të ndjekin udhëzimet e recetave.
Megjithatë, gatishmëria për detyra më të ndërlikuara varet edhe nga pjekuria dhe shkathtësitë individuale të fëmijës.
Cilat rregulla të sigurisë duhet t’ua mësoni?
Kuzhina paraqet rreziqe edhe për të rriturit, prandaj siguria duhet të jetë përparësi gjatë çdo aktiviteti me fëmijët.
Mësojini ata të lajnë duart para përgatitjes së ushqimit, të pastrojnë frutat dhe perimet, të mbajnë flokët e gjatë të lidhur dhe të mos prekin sipërfaqet e nxehta.
Përdorimi i thikave, sobës dhe furrës duhet të bëhet nën mbikëqyrjen e një të rrituri. Gjithashtu, fëmijët duhet të mësojnë të mos prekin mishin e pagatuar pa larë më pas duart dhe të mos përdorin të njëjtën dërrasë prerjeje për mishin dhe ushqimet e gatshme për konsum.
Mos harroni se një moment i vetëm pakujdesie mund të shkaktojë prerje apo djegie, transmeton Telegrafi.
Çfarë pajisjesh u nevojiten fëmijëve në kuzhinë?
Për ta bërë gatimin më të rehatshëm dhe më të sigurt, mund t’i pajisni fëmijët me disa mjete të përshtatura për moshën e tyre:
- Përparëse në madhësinë e duhur;
- Platformë të qëndrueshme dhe kundër rrëshqitjes;
- Thika plastike të posaçme për fëmijë;
- Dërrasa për prerjen e ushqimeve;
- Gota dhe lugë matëse;
- Doreza mbrojtëse për enët e nxehta.
Pajisjet e përshtatshme ua lehtësojnë përvetësimin e teknikave bazë, por nuk e zëvendësojnë mbikëqyrjen e prindërve.
Me cilat receta duhet të fillojnë?
Sallatat me fruta, sandviçët, kosi me fruta, picat e thjeshta, makaronat me djathë dhe petullat janë disa nga alternativat që mund t’ua zgjojnë interesimin për gatimin.
Fillimisht, zgjidhni receta që nuk kërkojnë përdorimin e sobës apo të furrës. Më pas, prezantojini gradualisht me teknikat e gatimit, gjithmonë duke pasur parasysh moshën dhe aftësitë e tyre.
Mos kërkoni përsosmëri dhe mos i kritikoni për rrëmujën apo gabimet e vogla. Lavdërojeni përpjekjen, kreativitetin dhe përparimin e tyre.
Gatimi së bashku nuk është vetëm një mënyrë për të përvetësuar një aftësi praktike, por edhe një mundësi për të kaluar kohë cilësore, për të forcuar lidhjet familjare dhe për të krijuar kujtime të bukura.
Një fëmijë që sot ju ndihmon të përgatisni mëngjesin, nesër mund t’ju befasojë duke përgatitur vetë drekën për të gjithë familjen. /Telegrafi/

