Autoritetet amerikane kanë nisur një hetim ndaj kompanisë Waymo, në pronësi të gjigantit teknologjik Alphabet, pas dyshimeve se automjetet e saj autonome po kalojnë ilegalisht pranë autobusëve të shkollave që janë ndalur për të marrë ose lëshuar nxënësit.
Hetimi është hapur më 6 nëntor 2026 nga Administrata Kombëtare për Sigurinë në Trafikun e Autostradave (NHTSA), pas një numri të madh raportimesh për shkelje të rregullave të trafikut nga robotaksitë e kompanisë.
Sipas ankesave, automjetet pa shofer kanë vazhduar lëvizjen pranë autobusëve të ndalur të shkollave, edhe kur këta të fundit kanë pasur të aktivizuara dritat e kuqe sinjalizuese dhe tabelat e posaçme të ndalimit.
Rasti ngre shqetësime për sigurinë e nxënësve, të cilët mund të jenë duke kaluar rrugën gjatë hipjes ose zbritjes nga autobusi.
Sipas autoriteteve, nëse hetimi çon në një tërheqje të automjeteve nga tregu, masa mund të prekë rreth 2 mijë e 895 automjete të pajisura me sistemin autonom të drejtimit të gjeneratës së pestë.
Ky nuk është rasti i parë që Waymo përballet me një problem të tillë. Në dhjetor të vitit 2025, kompania kishte tërhequr automjete për të njëjtën çështje dhe kishte përditësuar softuerin e tyre. Hetuesit tashmë synojnë të përcaktojnë nëse ndërhyrja e atëhershme ka qenë efektive.
Shqetësimet për sigurinë janë shtuar edhe pas disa incidenteve të raportuara. Sipas një memorandumi të distriktit shkollor të Austin-it, në fund të vitit 2025, një automjet Waymo kishte kaluar pranë një autobusi të ndalur të shkollës, ndërsa një nxënës ndodhej ende në rrugë.
Pas këtij rasti, distrikti i kërkoi kompanisë të ndërpresë operimet gjatë orareve të dërgimit dhe marrjes së nxënësve në shkolla.
Ndërkaq, në janar të vitit 2026, një robotaksi e Waymo-s goditi një fëmijë në afërsi të një shkolle, pasi ai kishte dalë në rrugë nga prapa një veture të parkuar. Automjeti autonom arriti të ngadalësonte ndjeshëm para përplasjes, por fëmija pësoi lëndime të lehta. Edhe ky incident është bërë objekt i një hetimi të veçantë nga NHTSA.
Waymo është përballur edhe me probleme të tjera teknike. Në qershor të vitit 2026, kompania tërhoqi automjete për shkak të një defekti në softuer, i cili i lejonte ato të hynin në zona të mbyllura për punime në rrugë.
Ndërsa në nëntor të këtij viti, Departamenti i Automjeteve Motorike në Kaliforni ia ndaloi kompanisë operimin në autostradat e shtetit, pas rasteve kur automjetet vazhdonin të hynin në segmente të mbyllura për shkak të punimeve dhe sinjalizimit të trafikut. /IndeksOnline

