Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka vënë në pah dallimet që, sipas tij, ekzistojnë ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV).
Sadiku e ka shoqëruar reagimin me dy mesazhe kontrastuese: “LDK: Vazhdoni punën!” dhe “VV: Kush vazhdon punën, arrestohet!”, duke e përdorur këtë krahasim për të shprehur qëndrimin e tij ndaj filozofisë politike të të dyja subjekteve.
Sipas deputetit të LDK-së, këto dallime nuk janë vetëm në nivelin e deklarimeve politike, por pasqyrojnë edhe qasjen ideologjike të dy partive ndaj zhvillimit dhe shtetndërtimit.
Ai ka theksuar se LDK-në e karakterizon puna si themel i filozofisë së saj për zhvillim dhe shtetndërtim, ndërsa për VV-në ka shprehur kritika të ashpra, duke e akuzuar për sabotim, bllokadë, manipulim dhe populizëm.
“Dallojmë. Dallojmë shumë”, ka përfunduar Sadiku reagimin e tij, duke ritheksuar mesazhin për dallimet politike dhe ideologjike ndërmjet dy subjekteve.

