Kryeministrja italiane e ka paralajmëruar Ukrainën që të mos lejojë që konflikti i saj me Rusinë të përhapet në Mesdhe, pasi Kievi sulmoi dy anije ruse në Libi.
Ushtria ukrainase bëri të ditur se sulmi i javës së kaluar dëmtoi një anije mallrash dhe fundosi “Merkury”-n, një nga anijet luftarake më të reja të Rusisë.
Ajo shtoi se anija e mallrave, “MV Angara”, ishte përdorur për transportimin e armëve.
Pamjet nga një dron që afrohej treguan momentin kur ai goditi anën e “Merkury”-t në një bazë detare në qytetin bregdetar libian të Bengazit, duke shkaktuar shpërthime të fuqishme.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e cilësoi operacionin si “shembullor”, duke sqaruar se sulmi kishte për shënjestër ushtrinë e Moskës dhe jo vetë Libinë.
Megjithatë, në një bisedë telefonike me Zelenskyn të premten, Giorgia Meloni shprehu shqetësimin e Romës lidhur me këto sulme, duke i thënë liderit ukrainas se forcat e Kievit kishin “shkelur sovranitetin e Libisë” dhe se operacioni “rrezikon ta zgjerojë konfliktin në Mesdhe”.
Në një njoftim mbi bisedën thuhet se znj. Meloni rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për Ukrainën, por theksoi se ky përkrahje “nuk mund të përkthehet në pranimin e nismave që vënë në rrezik sigurinë e Italisë dhe të rajonit”.
Në një postim në platformën X, vonë të premten, Zelensky u shpreh se të dy palët “diskutuan çështjet me të cilat po merremi aktualisht”, duke shtuar se “është e rëndësishme që ta kuptojmë njëri-tjetrin”.
“Konfirmova se operacioni i fundit në Libi u krye pa koordinim paraprak me partnerët tanë evropianë”, tha ai.
“Gjithashtu theksova përkushtimin tonë për të siguruar që autoritetet tona përkatëse të shkëmbejnë të gjithë informacionin e nevojshëm dhe të mbajnë një komunikim të drejtpërdrejtë, të rregullt dhe efektiv”.
Lufta e Ukrainës me Rusinë, e cila ka hyrë tashmë në vitin e saj të pestë, po zhvillohet gjithnjë e më
shumë në ajër, përmes përdorimit të dronëve dhe raketave, ndërsa asnjëra palë nuk po arrin të sigurojë një avantazh vendimtar në terren. /Telegrafi/

