Kirurgu Adem Ademi, njëri nga pjesëtarët e “Grupit të Intelektualëve” të Mitrovicës, i zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, është rivarrosur sot në Mitrovicë, pas identifikimit të mbetjeve mortore të tij.
Mbetjet e Ademit ishin gjetur gjatë gërmimeve në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin-Potokut, ndërsa identifikimi ishte bërë përmes analizave të ADN-së.
Më 3 nëntor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njoftuar se nga raportet e reja të ADN-së ishte konfirmuar identiteti i tri viktimave, mbetjet mortore të të cilëve ishin gjetur gjatë gërmimeve në këtë lokacion.
Bëhet fjalë për Adem (Fazli) Ademin, Fatmir (Bajram) Fazliun dhe Ali (Islam) Halitin, të cilët ishin pjesë e “Grupit të Intelektualëve”.
Ky grup përbëhej nga 23 persona, të cilët ishin zhdukur në prill të vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë nga Mitrovica.

