Nga 1 dhjetori fillojnë të zbatohen rregullat e reja për miratimin, kohëzgjatjen dhe mbylljen e pushimit mjekësor.
Sipas Rregullores së re, mjeku amë do të mund të miratojë pushim mjekësor deri në pesë ditë.
Për mungesë më të gjatë se pesë ditë do të nevojiten ekzaminime përkatëse diagnostikuese dhe raport nga mjeku specialist, me rekomandim për kohëzgjatjen e pushimit.
Për pushim mjekësor më të gjatë se 15 ditë do të kërkohet miratimi i komisionit mjekësor të Fondit për Sigurim Shëndetësor.
Pushimi mjekësor do të hapet ditën e kontrollit ose ditën pasuese. Në raste të arsyetuara, mund të hapet edhe në mënyrë retroaktive, por jo më shumë se një ditë më herët. Ai do të mbyllet në ditën e fundit të periudhës së miratuar ose, më së voni, një ditë pas saj.
Për hapjen e një pushimi të ri mjekësor për të njëjtën diagnozë, brenda një periudhe më të shkurtër se 30 ditë, do të nevojitet miratimi paraprak i komisionit mjekësor.
Pas trajtimit spitalor, vazhdimi retroaktiv i pushimit mjekësor do të jetë i mundur për jo më shumë se pesë ditë kalendarike, me miratimin e komisionit.
Gjatë hapjes së pushimit mjekësor do të lëshohet një vërtetim, ndërsa formulari ISR do të jepet pas përfundimit të tij.

