Banorët e Malësisë së Bujanocit po përballen me kushte të rënda jetese, ku mungesa e infrastrukturës bazë po ua vështirëson edhe gjërat më elementare, përfshirë dërgimin e fëmijëve në shkollë.
Në fshatrat Suharnë, Novo Sellë, Priboc dhe Zarbicë, rrugët me baltë, mungesa e dyqaneve ushqimore dhe largësia nga shërbimet publike kanë krijuar një gjendje të rëndë izolimi për banorët e paktë që kanë mbetur në këtë zonë, transmeton klankosova.tv.
Për të siguruar produkte elementare ushqimore, banorëve u duhet të udhëtojnë kilometra të tëra, ndërsa ambulanta dhe shkolla më e afërt ndodhen mbi 13 kilometra larg.
Sa e vështirë është situata në këtë pjesë të Bujanocit, e dëshmon edhe rasti i Ilmi Bajramit nga Suharna, i cili gjatë përpjekjes për t'i dërguar fëmijët në shkollë, përfundoi në një situatë të rrezikshme për shkak të gjendjes së rëndë të rrugës.
Automjeti i tij hasi në vështirësi në rrugën e mbuluar me baltë, duke e detyruar të ndërpriste udhëtimin dhe të kthehej në gjysmë të rrugës.
Për fat të mirë, fëmijët nuk pësuan lëndime, por as atë ditë nuk arritën të shkonin në shkollë.

