Në ditën më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, 28 Nëntorin, urimit për 114-vjetorin e Pavarësisë i janë bashkuar edhe futbollistët e Kombëtares shqiptare, të cilët përfaqësojnë me krenari ngjyrat kuqezi në arenën ndërkombëtare, transmeton IndeksOnline.
Përmes një videoje emocionuese të publikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) në rrjetet sociale, lojtarë si Etrit Berisha, Berat Gjimshiti, Stavro Pilo, Taulant Seferi, Ernest Muçi, Mario Mitaj, Juljan Shehu, Klevi Qefalija, Arbër Hoxha, Mirlind Daku dhe Alen Sherri u bënë bashkë për të treguar me një fjalë të vetme se çfarë përfaqëson Shqipëria për ta.
Videon e përmbylli kapiteni Berat Gjimshiti, i cili përcolli një mesazh me domethënie të veçantë.
“Pavarësisht se ku na çon rruga, ka një vend që na bashkon gjithmonë, Shqipëria. Gëzuar 28 Nëntorin!”, u shpreh kapiteni kuqezi.
Nga ana e saj, FSHF-ja e shoqëroi këtë video me një urim të përzemërt për të gjithë shqiptarët:
“Shumë fjalë për Shqipërinë, atdheun tonë, dalë nga zemra e atyre që flamurin e lartësojnë gjithmonë! Gëzuar festat e nëntorit!”, thuhet në postimin e Federatës. /IndeksOnline/

