Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas pengimit të vendosjes së muralit kushtuar Nënës Terezë në kryeqytet, duke kërkuar nga Policia e Kosovës sqarime për ndërhyrjen dhe personat që kanë urdhëruar ndalimin e punimeve.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se, pavarësisht se Komuna e Prishtinës kishte dhënë leje për realizimin e projektit, punimet janë ndërprerë të premten në mbrëmje, transmeton lajmi.net..
Sipas tij, ekipi që po merrej me vendosjen e muralit ka raportuar se polici i pranishëm në vendin e ngjarjes kishte deklaruar se urdhri për ndalimin e punimeve kishte ardhur “nga lart”.
Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e Ramës, i cili ka kërkuar të sqarohet se kush qëndron pas këtij urdhri.
“Kush është ‘lart’ në Kosovë? Kush mund ta ndalë me një fjalë goje një punë për të cilën Komuna ka dhënë leje?”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.
Ai i ka drejtuar disa pyetje Policisë së Kosovës, duke kërkuar të bëhet e ditur se mbi çfarë baze ligjore është ndërprerë vendosja e muralit dhe kush ka kërkuar ndërhyrjen policore.
“Me çfarë vendimi u ndalua vendosja? Mbi cilën bazë ligjore? Kush e kërkoi ndërhyrjen dhe kush e urdhëroi? Kush bëri presion politik mbi Policinë?”, ka pyetur Rama.
Kryetari i Prishtinës ka kërkuar që Policia e Kosovës të sqarojë publikisht rrethanat e rastit, të identifikojë personin që ka dhënë urdhrin dhe të publikojë vendimin mbi të cilin është bazuar ndërhyrja.
Deri në reagimin e Ramës, çështja e pengimit të muralit ka nxitur reagime edhe nga zyrtarë të tjerë të Komunës së Prishtinës./lajmi.net/

