Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se tre persona janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për trafikim të narkotikëve, në kuadër të planit taktik të koduar “Kufiri 2”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, gjatë operacionit, të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në autostradën “Arbën Xhaferi”, afër daljes Doganaj-Kaçanik, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 136 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Sipas Prokurorisë, një person tjetër i dyshuar për përfshirje në këtë rast ndodhet në arrati, ndërsa ka dyshime edhe për përfshirjen e një zyrtari policor.
“Ekzistojnë dyshime për përfshirjen e një zyrtari policor në këtë rast, ndaj të cilit janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas informacioneve fillestare të siguruara gjatë hetimeve, të dyshuarit janë shtetas të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Prokuroria dyshon se ata kishin për qëllim transportimin, shitjen dhe shpërndarjen e marihuanës nga Shqipëria, përmes territorit të Kosovës dhe më pas në Maqedoninë e Veriut, me destinacion përfundimtar Turqinë.
Tre personat dyshohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se do të vazhdojë hetimet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të ndriçimit të plotë të rastit dhe identifikimit të të gjithë personave të dyshuar.
Tutje bëhet e ditur se brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të parashtrojë kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.

