Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka vlerësuar se zhvillimi i FSK-së është në rrugë të mirë, por se investimet në këtë forcë nuk kanë qenë të mjaftueshme.
Në Ditën e Forcës, i ftuar në emisionin "FIVE" në Dukagjin, Kastrati ka folur edhe për lidhjen e FSK-së me historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur keqardhje për faktin se ish-udhëheqësit e UÇK-së po gjykohen në Hagë.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e të kaluarës, mbi gjakun e dëshmorëve që e kanë dhënë në kohëra të ndryshme e deri tek lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është shumë e dhimbshme që ata që i kanë pri kësaj historie e UÇK-së e që ka dalë Forca e Sigurisë së Kosovës ndodhen në Hagë dhe padrejtësisht janë në një proces politik atje”, u shpreh Kastrati.
Duke folur për zhvillimin e FSK-së, ai tha se kjo forcë ndodhet në fazën përfundimtare të planit dhjetëvjeçar zhvillimor, por sipas tij, investimet financiare dhe ngritja e kapaciteteve operacionale nuk kanë qenë në nivelin e duhur.
“Ushtria e Kosovës në planin e saj 10-vjeçar zhvillimor mendoj që është në rrugë të mirë, është në fazën e tretë që është përfundimtare. A ka ecur mirë, mendoj që po, a ka ecur mjaftueshëm, mendoj që jo, sepse investimi në këtë forcë nuk ka qenë i mjaftueshëm”, deklaroi ai.
Kastrati e ka lidhur nevojën për investime më të mëdha edhe me zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon, duke përmendur deklaratat e fundit në Beograd lidhur me Kosovën.
Ai ka vlerësuar se politika e re në Serbi nuk sinjalizon ndryshim në raport me Kosovën dhe se Qeveria e Kosovës është dashur të investojë më shumë në kapacitetet e FSK-së.
“Duke pasur parasysh politikën e re në Beograd dhe kandidati i ri për president atje deklaroi se Kosova përkohësisht është e okupuar, atëherë lë të kuptoj se me politikën e re nuk ka ndryshuar asgjë në raport me Kosovën dhe për këtë mendoj që Qeveria e Kosovës nuk ka investuar mjaftueshëm në mjete financiare, ngritje të kapaciteteve operacionale që është pjesa më e kushtueshme e ngritjes së kësaj force”, u shpreh Kastrati.

