Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka kritikuar emërimin e një anëtari të ri në Këshillin Kombëtar të Shkencës, duke e cilësuar këtë rast si një tjetër precedent të keq në procesin e shtetndërtimit.
Përmes një reagimi, Sadiku ka thënë se Kosova që nga çlirimi po përballet me problemin e krijimit të precedentëve të tillë, të cilët, sipas tij, dëmtojnë standardet institucionale dhe kulturën shtetërore.
Ai ka theksuar se shkeljet bëhen edhe më të rënda kur politika, përmes emërimeve në institucione, i institucionalizon ato dhe përjashtimet nga standardet i arsyeton me individë të caktuar.
Duke iu referuar një anëtari të sapozgjedhur të Këshillit Kombëtar të Shkencës, Sadiku ka thënë se çështja nuk lidhet domosdoshmërisht me aftësitë e tij profesionale, por me standardin që po vendoset për institucionet.
“Ndoshta është matematikan i shkëlqyer. Ndoshta ka aftësi të jashtëzakonshme. Nuk është kjo çështja. Çështja është se çfarë standardi po vendosim sot për institucionet e nesërme. Çfarë mesazhi po u japim mijëra studentëve që me mund e sakrificë përfundojnë studimet e tyre?”, ka shkruar Sadiku.
Ai ka theksuar se shtetndërtimi është proces i ndjeshëm dhe se edhe veprimet që duken të vogla mund të krijojnë pasoja afatgjata, veçanërisht kur cenohen standardet dhe përgjegjësia institucionale.

