KORREKT / SOT27 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

“Trafiku Urban” mbyll vitin 2025 me mbi 368 mijë euro fitim, rriten për 80% kostot e autobusëve nga nafta

“Trafiku Urban” mbyll vitin 2025 me mbi 368 mijë euro fitim, rriten për 80% kostot e autobusëve nga nafta

Ndërmarrja Publike Komunale “Trafiku Urban” ka shënuar rezultat pozitiv financiar gjatë vitit 2025, duke regjistruar fitim neto prej 368 mijë e 106 eurosh. Këto të dhëna janë prezantuar në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku është shqyrtuar raporti i performancës financiare dhe operative të ndërmarrjes për vitin 2025 dhe gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.

Sipas raportit, gjendja financiare e ndërmarrjes ka shënuar përmirësim të dukshëm në krahasim me vitin 2024, kur “Trafiku Urban” kishte përfunduar vitin me humbje neto prej 289 mijë e 855 eurosh, transmeton lajmi.net.

Gjatë vitit 2025, të hyrat e përgjithshme të ndërmarrjes arritën në rreth 10.06 milionë euro, duke shënuar rritje prej 11.8 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Ndërkaq, për gjashtë muajt e parë të vitit 2026, ndërmarrja ka realizuar të hyra në vlerë prej 5 milionë e 250 mijë e 716 euro e 74 centë. Pas përfshirjes së shpenzimeve të zhvlerësimit, rezultati financiar ka vazhduar të jetë pozitiv, me 22 mijë e 456 euro e 57 centë.

Një prej sfidave të evidentuara në raport është rritja e shpenzimeve operative. Kostoja e funksionimit të autobusëve është rritur për 80 për qind që nga muaji mars, si pasojë e shtrenjtimit të derivateve të naftës.

Po ashtu, shpenzimet e personelit kanë shënuar rritje prej 14.6 për qind, kryesisht për shkak të ngritjes së pagave dhe shtesave për punëtorët.

Sa i përket funksionimit, “Trafiku Urban” aktualisht mbulon nëntë linja urbane dhe ka në dispozicion 51 autobusë. Vetëm gjatë vitit 2025, shërbimet e kësaj ndërmarrjeje janë shfrytëzuar nga mbi 20 milionë përdorues.

Në periudhën e ardhshme, ndërmarrja ka paraparë si prioritete modernizimin e flotës përmes blerjes së autobusëve të rinj, digjitalizimin e sistemit të pagesave përmes projektit “Kuleta Digjitale”, si dhe ngritjen e cilësisë së transportit publik në kryeqytet./lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.