Presidentja Justina Shiroka-Pula ka kërkuar trajtim të barabartë për Kosovën në procesin e integrimit evropian, duke thënë se përparimi drejt Bashkimit Evropian nuk mund të jetë selektiv dhe se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vlerësohen mbi bazën e meritave dhe kritereve të njëjta.
Shiroka-Pula, e cila po e përfaqëson Kosovën në takimin e Iniciativës Brdo-Brijuni që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në fjalën e saj para liderëve të rajonit theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, ka njoftuar Presidenca.
Ajo iu referua edhe Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të mbajtur më 16 nëntor në Bruksel, duke kritikuar mospërfshirjen e Kosovës në këtë aktivitet dhe lejimin e interpretimit të një kënge me përmbajtje nacionaliste, e cila, sipas saj, vë në pikëpyetje shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Presidentja ka thënë se është paradoksale që në një aktivitet të dedikuar zgjerimit të BE-së dhe promovimit të vlerave evropiane Kosovës t’i mohohet përfaqësimi institucional, ndërsa lejohen mesazhe që, sipas saj, mohojnë realitetin.
Sipas saj, praktika të tilla nuk kontribuojnë në pajtimin, fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin rajonal.
Ajo ritheksoi se Kosova nuk kërkon privilegje, por barazi, respekt dhe trajtim të drejtë në procesin e integrimit evropian.
Presidentja theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet zgjedhje strategjike e Kosovës, ndërsa mungesa e përparimit drejt marrjes së statusit të vendit kandidat, sipas saj, dëmton besimin e qytetarëve në perspektivën evropiane të rajonit.
Në takim me liderë të rajonit për herë të parë mori pjesë edhe kryetari i ri i Kuvendit të Serbisë dhe ushtruesi i detyrës së presidentit, Aleksandar Çupiq.

