Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është deklaruar lidhur me përfundimin e mandatit të komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari.
I pyetur nëse Jashari do të vazhdojë edhe për një mandat në këtë pozitë, Maqedonci nuk ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë. Ai ka thënë se ekziston një ligj në fuqi dhe se hapat e ardhshëm do të ndërmerren në përputhje me ligjet dhe procedurat.
“Komandantin e patë më herët. Normalisht që është një ligj i cili është në fuqi, kemi një komandant që po përfundon mandatin dhe janë të gjitha hapat e nevojshëm që do të ndërmerren me kohë sipas ligjeve dhe procedurave”, ka thënë Maqedonci.
Gjenerallejtënantit Bashkim Jashari më 30 nëntor të këtij viti i përfundon mandati pesëvjeçar në krye të FSK-së. Sipas legjislacionit në fuqi, ai nuk mund të riemërohet për një mandat të dytë.
Jashari ishte emëruar komandant i FSK-së më 30 nëntor 2021 nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Vjosa Osmani, pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, Rrahman Rama.

