KORREKT / SOT27 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Showbiz

Dembel, mendjemadh, vulgar – e vërteta për Ian Flemingun

Dembel, mendjemadh, vulgar – e vërteta për Ian Flemingun

Teksa shkruante biografinë e vitit 1966 të krijuesit të 007-shit, John Pearsoni u detyrua të hiqte goxha materiale që nuk ishin aspak lavdëruese. Bëhuni gati për befasi.

Nga: Jake Kerridge / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Ian Flemingu është portretizuar në ekran nga aktorë tërheqës si Charles Dance dhe Johnny Flynn. Por, duke lexuar disa nga vërejtjet thumbuese të shënuara nga biografi i tij zyrtar, John Pearson, nuk mund të mos e përfytyroja krijuesin e James Bondit të interpretuar nga Frankie Howerdi ose Kenneth Williamsi. Për shembull, kur bashkëshortja e romancierit Paul Gallico i tregoi me mburrje Flemingut bluzën verore të cilën vetë e kishte bërë, ai i tha: “Sa bukur. Sa ide e mirë. Kemi disa qilima në shtëpi të cilët edhe ne mund t’i presim në copa”.

Gjëja qesharake është se kjo histori nuk figuron në biografinë e Pearsonit, të botuar për herë të parë në vitin 1966, dy vjet pas vdekjes së Flemingut. As nuk citohet në biografinë prej 812 faqesh të Nicholas Shakespeareit, Jan Flemingu: Njeriu i kompletuar [Ian Fleming: The Complete Man], të vitit 2023. Njeriu i kompletuar? Nga libri i shkëlqyer i Shakespeareit, Flemingu doli si një kombinim bajronian i njeriut të letrave dhe Njeriut të Aksionit, një njeri i mirë, shumë i dashur, të metat e të cilit – dhënia pas grave, prirja për sadizëm – ishin të paktën ato më ngacmuese. Me fjalë të tjera, ai ishte figurë e përshtatshme për të qenë baba i Bondit.

Por, një portret mjaft i ndryshëm i Flemingut – më teatral, më torollak, më i lajthitur – ndërtohet në Jan Flemingu: Shënimet [Ian Fleming: The Notes], një përmbledhje shënimesh të hartuara nga Pearsoni në vitet ’60 të shekullit XX, kur po bënte kërkime për biografinë e tij, dhe që tani po botohet nga administruesit e trashëgimisë së Flemingut. Pjesa më e madhe e librit përbëhet prej fragmenteve të intervistave të Pearsonit me njerëz të cilët e njihnin Flemingun. Shumë pak nga vëzhgimet e tyre më pikante ose më të pazakonta hynë në biografinë origjinale të Pearsonit, pjesërisht sepse e veja e Flemingut, Ann, ushtroi kontroll të pamëshirshëm mbi atë dorëshkrim. (“I riu naiv që po shkruan jetën e Ianit”, i shkroi ajo Clarissa Edenit, “dukej se i pranonte ndryshimet dhe heqjet pa ndonjë mllef.”)

Rrjedhimisht, Jan Flemingu: Shënimet është plot me anekdota domethënëse që do të jenë të panjohura edhe për admiruesit e vjetër të Flemingut. Pearsoni jo vetëm që nxori rrëfime konfidenciale nga miqtë dhe ish-kolegët e personazhit të tij – “Kur Iani ishte në Qendrën Financiare të Londrës, ishte agjenti më i keq i bursës në botë”, tha njëri prej tyre – por, mori mundimin të gjurmonte edhe figura të tilla si Flemingu duhanshitës gjatë luftës, i cili dëshmoi për mungesën e sentimentalizmit bondian. Mësojmë se, në një rast, një korriere “shumë e bukur” e marinës u paraqit gjatë një sulmi ajror për të marrë cigaret e Flemingut. Të nesërmen, vetë Flemingu u paraqit për “cigaret” e tij. “Por, vajza juaj i mori mbrëmë”. “Oh, ajo ka vdekur. Më mirë të marr edhe ca të tjera”.

Komentet e vetë Pearsonit janë shpesh më të thella dhe më thumbuese se gjithçka në biografinë e tij origjinale. Kur takon Blanche Blackwellin, dashnoren e Flemingut në vitet e fundit të jetës së tij, ai vëren se shkrimtari “duhet të ketë pasur nevojë për simpatinë e plotë që do t’ia jepte një grua e tillë, për gllënjkat e gjata, të gëlltitura me babëzi, të [pijes së ngrohtë] Ovaltine-it emocional që i nevojitej të sëmurit pas goditjeve që kishte marrë në shtretërit e grave të tjera”.

Dhe, për dashurinë e Flemingut ndaj Nju-Jorkut, Pearsoni deklaron: “Është qytet vulgar dhe ai ishte njeri vulgar”. M’u kujtua vëllimi i shkurtër që biografi i John le Carrésë, Adam Sisman, botoi si epilog pas vdekjes së le Carrésë dhe bashkëshortes së tij: krijohet e njëjta ndjesi e një shkrimtari më parë të detyruar të tregonte një mirësjellje pa emocione, dhe më në fund të çliruar nga zinxhiri e të lumtur që mund të godasë.

Të intervistuarit ofrojnë municion të bollshëm. Graham Greene kujton rastin “shumë të turpshëm” kur qëndroi në strehën xhamajkane të Flemingut, Syri i Artë [Goldeneye], dhe Flemingu u përpoq ta bezdiste mysafirin me këmbënguljen që t’ia shkruante parathënien e njërit prej librave të tij. Edhe ideja për Flemingun si njeri i fortë merr një goditje. Kritiku Peter Quennell tregon një histori zbavitëse për një burrë të dehur i cili e goditi Flemingun me një karrige: “Ai vetëm rrinte shtrirë aty dhe u ngurtësua krejtësisht. Më pas e pyeta pse nuk e goditi. [Ai] tha: ‘Po ta kisha goditur, do ta kisha vrarë’”.

Miku i vjetër i T. S. Eliotit, John Hayward, ishte redaktor i The Book Collector, revistës në pronësi të Flemingut, dhe e akuzon pronarin e tij të ndjerë për një sërë mëkatesh: pandershmëri (manipulonte deklarimet e shpenzimeve kur punonte në The Sunday Times, për të blerë aksione që ta mbante revistën në këmbë), lakmi (këmbëngulte, edhe kur ishte i pasur, ta merrte pjesën e vet nga fitimet e papërfillshme të revistës), dembeli (“Nuk bëri kurrë asnjë punë për [revistën]”) dhe mendjemadhësi (“I pëlqente vërtet të kishte mbishkrimin ‘menaxher për çështjet e jashtme’ në derën e tij aty [Sunday Times], ndonëse në të vërtetë nuk kishte qenë kurrë diçka i tillë”).

Biografia e Shakespeareit thuri, mbi bazën e provave të kufizuara, një rrëfim të sajuar me mjeshtëri, sipas të cilit Flemingu ishte dërguar në Bordo – gjatë luftës, në vitin 1940 – nga eprori i tij, admirali Godfrey, për të ndihmuar në një mision të guximshëm që përfshinte nxjerrjen fshehurazi të rezervave belge të arit. Vërejmë se ai nuk e citoi pikëpamjen, të zbuluar këtu, të shefit të inteligjencës, Sir William “Intrepid” Stephenson: “Sigurisht, e shqetësonte fakti që nuk kishte marrë pjesë në luftime gjatë luftës, por dyshoj nëse do të kishte qenë shumë i zoti në aksion”. Pearsoni, i cili foli me vetë admiralin Godfrey, e konsideron “të mundshme që Bondi të jetë njeriu suprem i veprimit, sepse [Flemingu] nuk ishte aspak i tillë”. Meqë ra fjala, Godfrey vëren gjithashtu se “për mua Bondi është disi një figurë prej kartoni. Aspak si një figurë e vërtetë … [Ai] nuk do të kishte zgjatur as pesë minuta”. Dhe, kjo vjen nga modeli i personazhit “M”.

Nuk kam lexuar kurrë më parë ndonjë libër për Flemingun në të cilin theksi mbi neurozën të ndihet kaq shpesh. Ann Fleming thotë për hobin e tij të koleksionimit të tablove prej tunxhi: “[Ai] gjithmonë thoshte se i pëlqenin gjërat që mund të lustroheshin, sepse kjo i jepte mundësi ta shkarkonte kompleksin e tij të fajit”. Sekretarja e tij, Beryl Griffie-Williams, vëren se martesa e tij e trazuar me Annan zgjati sepse ai ishte mazokist: “Ai arriti në pikën kur e shijonte vuajtjen që ajo i shkaktonte”.

Flemingu ia kalonte edhe Bondit si plejboj, por, sipas Annas, shijet e tyre ishin mjaft të ndryshme: “Ianit nuk i pëlqenin vajzat e reja e të bukura. I thosha [mikut të Flemingut, Ivar] Bryceit … të mos e merrte mundimin të më njoftonte se çfarë po bënte Iani, derisa ta shihte pranë ndonjë hebreje të moshës së mesme. Atij i pëlqente gjithmonë që femrat e tij të mbanin funde me pala, të kaltra, dhe këmisha të bardha. I thosha se donte që të gjitha të dukeshin si lezbike”.

Noël Coward mendonte se Flemingu ishte “pothuajse në mënyrë të dyshimtë i ekzagjeruar sa i përket seksit”, ndërsa dëshmitë e miqve të tjerë – “Kishte diçka çuditërisht femërore tek ai”; “Kishte një feminitet të pazakontë tek ai”; “Kishte një prirje të fortë homoseksuale, në aspektin emocional, por jo [domosdoshmërisht] në atë fizik” – së bashku japin një portret shumë të ndryshëm nga ai me të cilin jemi mësuar.

Edhe imazhi i Flemingut si njeri i botës, i cili i përdorte pa ndonjë mundim njohuritë e tij ezoterike në librat e vet, zbehet këtu nga ata që e njihnin. Botuesi i tij kujton se i duhej t’i korrigjonte të gjitha hollësitë për makinat, meqë Flemingu ishte “thjesht amator në ndërlikimet e teknikës së përparuar automobilistike”. Cowardi kujton kontrastin midis epikurizmit të Bondit dhe ushqimit “të neveritshëm” që Flemingu lejonte të shërbehej në Syrin e Artë: “Gjatë gjithë kohës që e ha atë, të mundon mendimi për gjithë ato vakte të shkëlqyera në libra”.

Shumë nga të intervistuarit e Pearsonit dëshmojnë për anën e dashur të shkrimtarit. “Më pëlqen [vëllai i tij] Peter, por Iani ishte njeri shumë më zemërmirë, më i këndshëm dhe më i ndjeshëm”, thotë John Betjeman. Por, një pjesë interesante e këtij libri kaq këndshëm e të çiltër qëndron në faktin se ai tregon se si kjo anë e dashur e tij lidhej me aftësinë për të qenë, siç tha Audeni për Yeatsin, “budalla si ne”. Veprat e tjera biografike kanë argumentuar se midis Flemingut dhe Bondit mezi mund të futej një letër cigareje. Kjo vepër, përkundrazi, sugjeron se 007-shi ishte kaq i suksesshëm sepse ishte një figurë që mishëronte përmbushjen e dëshirave, krijuar nga një njeri që mund të ishte po aq meskin, i pafat dhe pak i ngjashëm me Bondin sa të gjithë ne të tjerët. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.