Fondet që Kosova nuk arriti t’i përfitojë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, e të cilat pritet t’u shpërndahen vendeve të tjera të rajonit, janë dëshmi e dështimit të Qeverisë e cila udhëhiqet nga Albin Kurti.
Kështu ka thënë në një bisedë për Ekonomia Online deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri i cili e ka fajësuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje për humbjen e këtyre mjeteve, duke thënë se ato do të mund të përdoreshin për investime në shkolla, projekte kapitale dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Në këndvështrimin e Tahirit, humbja e këtyre mjeteve financiare është rezultat i veprimeve të shumicës qeverisëse, duke ia atribuar përgjegjësinë drejtpërdrejt VV-së.
“Humbjet e fondeve të dedikuara për qytetarët e Kosovës janë një gabim jashtëzakonisht i madh i shumicës që udhëheq sot me Kosovën dhe si rrjedhojë janë duke humbur më shumë investime në shkolla, më shumë investime kapitale dhe më shumë benefite për qytetarët e Kosovës. Pra, këto kanë shkuar. Sado që i vajtojmë, nuk besoj që fitojmë diçka”, tha Tahiri.
Deputeti i Aleancës ka theksuar se pavarësisht humbjes së fondeve, Kosova ka ende një afat kohor deri më 31 dhjetor për të përmbushur disa nga obligimet që lidhen me Planin e Rritjes, në mënyrë që të përfitojë një shumë prej mbi 100 milionë eurosh në formë grantesh dhe kredish.
“Ajo që sot duhet të bëjmë ne është që deri më 31 dhjetor janë disa detyra që i ka Kosova, të cilat duhet t’i përfundojë në mënyrë që ta marrë një shumë mbi 100 milionë euro për Kosovën, se janë të ndara. Tani Kuvendi i ka disa detyra, i ka dy, por më kryesorja është Kodi Etik, i cili duhet të kalojë deri më 6 milionë, ndërsa qeveria e ka një mori ligjesh dhe veprimesh që duhet t’i marrë, në mënyrë që, në qoftë se nuk i bën, përgjegjësia është e saj e drejtpërdrejtë”, potencoi ai.
Duke folur për përgjegjësinë institucionale për humbjen e fondeve, Tahiri ka përmendur periudhat e bllokadave gjatë viteve 2025 dhe 2026, duke thënë se përgjegjësia për mosrealizimin e obligimeve bie mbi shumicën parlamentare dhe qeverinë.
“Nuk ka as dilemë dhe nuk është fshehtësi që ne i kemi humbur fondet e dedikuara për qytetarët e Kosovës për shkak të kryeneçësisë së shumicës, respektivisht Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, kjo ka shkuar. Sado që vajtojmë, nuk fitojmë. Ajo që sot po them është që e kemi edhe një afat kohor, dhe ai afat kohor është 31 dhjetori i këtij viti, për të cilin duhet të luftojmë shumë, t’i përfundojmë detyrat, në veçanti qeveria që e ka një varg, një mori kërkesash dhe obligimesh që duhet t’i përfundojë dhe dy detyra i ka Kuvendi që besoj do t’i përfundojë. Pra, është përgjegjësi e shumicës parlamentare, e kësaj qeverie”, shtoi.
Tahiri ka ngritur gjithashtu shqetësimin për ndikimin që sipas tij mospërmbushja e reformave dhe humbja e fondeve evropiane mund të ketë në raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka thënë se besimi i partnerëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës ka pësuar rënie, duke përmendur edhe përjashtimin e vendit nga dialogu strategjik me SHBA-në dhe masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
“Besimi i miqve ndërkombëtarë, në veçanti i Unionit Evropian, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka humbur. Pra, ne jemi të përjashtuar nga dialogu strategjik si Kosovë në marrëdhëniet SHBA Kosovë dhe kemi qenë në sanksione për dy vite e nëntë muaj prej Bashkimit Evropian. Pra, besim te ne nuk kanë”, vuri në pah ai.
Tahiri ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës të reflektojnë dhe të përmbushin obligimet që lidhen me proceset integruese, duke vlerësuar se orientimi euroatlantik mbetet rruga e vetme për vendin.
“Ajo që ne duhet të bëjmë duhet të reflektojmë, ta thërrasim vetëdijen tonë shtetërore dhe institucionale, në veçanti qeveritarë, dhe t’i përmbushim obligimet tona, për shkak se rrugëtimi, respektivisht integrimi i Kosovës në BE, anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, në NATO, është rrugë njëkahëshe, s’kemi ne rrugë tjetër. Ne nuk jemi duke kërkuar destinacion tjetër për t’u integruar. Këto janë destinacionet tona”, shtoi Tahiri.
Ndryshe, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas përfundimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ka paralajmëruar rishpërndarjen e fondeve që vendet e rajonit nuk kanë arritur t’i përfitojnë për shkak të mospërmbushjes së reformave.
Raportohet se fondet e humbura nga Kosova pritet t’u ndahen Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa rishpërndarje të ngjashme pritet të ketë edhe për fondet e humbura nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

