Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, Gary Neville, është i bindur se Erling Haaland do të largohet nga Manchester City për t’u transferuar te Real Madridi brenda 18 muajve të ardhshëm.
Gjatë një paraqitjeje në podcastin “Stick to Football”, pjesë e emisionit “The Overlap”, Neville shkoi edhe më larg, duke parashikuar se transferimi i sulmuesit norvegjez në kryeqytetin spanjoll mund të realizohet që në fund të këtij sezoni.
“Jam absolutisht i bindur se Erling Haaland do të jetë lojtar i Real Madridit brenda 18 muajve më së shumti, madje ndoshta edhe në fund të këtij sezoni”, deklaroi Neville.
Ish-futbollisti anglez parashikoi gjithashtu ndryshime të mëdha në repartin ofensiv të madrilenëve për t’i krijuar hapësirë Haalandit.
Sipas tij, Vinicius Junior do të largohet nga Real Madridi, Kylian Mbappe do të zhvendoset në krahun e majtë, ndërsa sulmuesi norvegjez do të marrë pozitën e qendërsulmuesit.
Një dyshe Mbappe-Haaland në sulmin e Real Madridit do të përbënte një prej kombinimeve më të frikshme në futbollin evropian./Telegrafi/

