Bumi i inteligjencës artificiale, rritja e aksioneve të kompanive farmaceutike dhe ardhja e investitorëve të rinj miliarderë kanë bërë që 300 njerëzit më të pasur në Zvicër të arrijnë një nivel rekord të pasurisë.
Sipas renditjes vjetore të publikuar nga revista ekonomike zvicerane Bilanz, pasuria e përgjithshme e 300 njerëzve më të pasur në vend ka arritur në mbi 934 miliardë franga zvicerane, duke shënuar një rritje prej 9.8 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Kjo shumë tejkalon edhe Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) të Zvicrës, ndërsa do të mjaftonte për financimin e sigurimit të pleqërisë dhe të të mbijetuarve (AHV) për 17 vjet, shkruan Watson.
Familja Aponte, e cila zotëron gjigantin e transportit detar MSC me seli në Gjenevë, ka marrë kryesimin e listës, duke zbritur nga froni bashkëpronarin e Chanel, Gérard Wertheimer, shkruan Watson, përcjell Telegrafi.
Vetëm dhjetë individët dhe familjet më të pasura në këtë renditje zotërojnë një pasuri të vlerësuar në 271 miliardë franga zvicerane, shumë që do të mbulonte të gjitha shpenzimet federale të Zvicrës për tre vjet.
Megjithatë, pjesa më e madhe e kësaj pasurie nuk mbahet në para të gatshme, por është e investuar në kompani, aksione dhe pasuri të paluajtshme, transmeton Telegrafi.
Dhjetë individët dhe familjet më të pasura në Zvicër
1. Familja Aponte – 39 deri në 40 miliardë franga
Familja që zotëron grupin e transportit detar MSC kryeson renditjen e këtij viti. Kompania disponon një flotë prej më shumë se 1,000 anijesh dhe kontrollon 21.5 për qind të tregut botëror të transportit detar të kontejnerëve.
Gjatë vitit 2026, themeluesi Gianluigi Aponte dhe bashkëshortja e tij Rafaela ua transferuan pronësinë fëmijëve të tyre, Alexa dhe Diego. MSC bleu gjithashtu grupin e klinikave Hirslanden.
2. Familjet Hoffmann, Oeri dhe Duschmalé – 35 deri në 36 miliardë franga
Trashëgimtarët e gjigantit farmaceutik Roche kanë përfituar nga rritja e çmimit të aksioneve të kompanisë me pothuajse 36 për qind brenda një viti.
Familjet kanë përfituar gjithashtu rreth 760 milionë franga nga dividendët, ndërsa vazhdojnë të kontrollojnë afro 65 për qind të të drejtave të votës në kompani.
3. Andrea Pignataro – 33 deri në 34 miliardë franga
Sipërmarrësi italian, i cili jeton në St. Moritz, ka ndërtuar pasurinë e tij përmes grupit teknologjik ION, të specializuar në analizën e të dhënave financiare.
Softuerët e kompanisë përdoren nga afro 30 për qind e bankave qendrore në botë, si dhe nga korporata të mëdha si Amazon dhe Microsoft, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, grupi përballet me një borxh prej afro 11 miliardë eurosh.
4. Gérard Wertheimer – 32 deri në 33 miliardë franga
Pas disa vitesh në krye të renditjes, bashkëpronari i shtëpisë së modës Chanel ka zbritur në pozitën e katërt.
Pasuria e tij është zvogëluar për rreth një miliard franga. Pavarësisht rritjes së shitjeve të Chanel gjatë vitit 2025, fitimi neto i kompanisë ka shënuar rënie prej më shumë se 14 për qind.
5. Familja Mittal – 27 deri në 28 miliardë franga
Manjati indian i industrisë së çelikut, Lakshmi Mittal, i cili është vendosur në St. Moritz, është një nga emrat e rinj në mesin e dhjetë më të pasurve.
Familja e tij kontrollon afro 44 për qind të kompanisë ArcelorMittal, një prej gjigantëve botërorë të industrisë së çelikut dhe minierave, me rreth 125 mijë punonjës.
6. Familja Safra – 26 deri në 27 miliardë franga
Familja bankare Safra vazhdon të zgjerojë aktivitetin e saj financiar në nivel ndërkombëtar.
Gjatë vitit 2026, banka private J. Safra Sarasin, me seli në Bazel, bleu plotësisht bankën daneze Saxo Bank. Grupi menaxhon asete me vlerë mbi 590 miliardë dollarë në mbarë botën.
7. Familja Blocher – 23 deri në 24 miliardë franga
Familja Blocher është rikthyer në mesin e dhjetë më të pasurve, falë rritjes së çmimit të aksioneve të kompanisë Ems-Chemie me rreth 55 për qind.
Magdalena Martullo-Blocher dhe Rahel Blocher zotërojnë secila afro një të tretën e kompanisë, vlera e së cilës ka arritur në rreth 20 miliardë franga zvicerane.
8. Familja Jorge Lemann – 18 deri në 19 miliardë franga
Biznesmeni braziliano-zviceran Jorge Lemann e ka ndërtuar pjesën më të madhe të pasurisë së tij përmes investimeve në industrinë e birrës, veçanërisht në kompaninë AB InBev.
Përmes firmës investuese 3G Capital, Lemann bleu në vitin 2025 edhe prodhuesin amerikan të këpucëve Skechers, për afro 9.4 miliardë dollarë. Ai është gjithashtu një nga aksionarët më të mëdhenj të kompanisë zvicerane On.
9. Familja Bertarelli – 17 deri në 18 miliardë franga
Pasuria e familjes Bertarelli mbetet e pandryshuar krahasuar me vitin e kaluar.
Familja hodhi themelet e pasurisë së saj përmes kompanisë bioteknologjike Serono, ndërsa sot investon në sektorin farmaceutik, teknologji dhe pasuri të paluajtshme përmes kompanisë B-Flexion.
10. Alexander Karp – 16 deri në 17 miliardë franga
Bashkëthemeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë Palantir, Alexander Karp, ka hyrë në mesin e dhjetë më të pasurve, falë rritjes së konsiderueshme të vlerës së aksioneve të kompanisë.
Karp është i regjistruar si banor në Lihtenshtajn, ndërsa revista Bilanz e arsyeton përfshirjen e tij në renditje me lidhjet e ngushta ekonomike ndërmjet Zvicrës dhe Lihtenshtajnit.
Kush fitoi dhe kush humbi më shumë gjatë vitit 2026?
Rritja e pasurisë së familjes Aponte lidhet kryesisht me zgjerimin e flotës së anijeve, rivlerësimin e aseteve dhe zhvillimet në sektorin e logjistikës.
Ndërkohë, familja Blocher ka përfituar nga rritja e ndjeshme e aksioneve të Ems-Chemie, duke u rikthyer në dhjetëshen e më të pasurve.
Në anën tjetër, familjet Schindler dhe Bonnard kanë mbetur jashtë dhjetëshes së parë. Pasuria e aksionarëve kryesorë të prodhuesit të ashensorëve Schindler është zvogëluar për rreth dy miliardë franga.
Humbje ka pësuar edhe Gérard Wertheimer, i cili përveç një miliard frangave nga pasuria e tij, ka humbur edhe pozitën e njeriut më të pasur në Zvicër.
Emrat e rinj dhe ata që u larguan nga lista
Ardhja e miliarderëve të rinj, përfshirë Lakshmi Mittal dhe Alexander Karp, ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e pasurisë së përgjithshme të 300 më të pasurve.
Ndër emrat më të njohur që janë larguar nga lista është këngëtari britanik Robbie Williams, i cili tashmë jeton në Bahamas.
Nga Zvicra janë larguar gjithashtu miliarderi rus Andrey Melnichenko dhe sipërmarrësi francez i teknologjisë Romain Girbal.
Cilat kantone të Zvicrës nuk kanë miliarderë?
Sipas renditjes, vetëm tri kantone zvicerane – Appenzell Innerrhoden, Neuchâtel dhe Jura – nuk janë vendbanim i asnjërit prej 300 individëve dhe familjeve më të pasura në vend.
Në të gjitha kantonet e tjera jeton të paktën një individ ose familje me pasuri prej së paku 350 milionë frangash zvicerane.
Megjithatë, pesë prej tyre nuk kanë asnjë miliarder:
Glarus;
Aargau;
Appenzell Ausserrhoden;
Schaffhausen;
Uri.
Personi më i pasur në kantonin Uri është Naguib Sawiris, me një pasuri të vlerësuar ndërmjet 350 dhe 400 milionë frangave zvicerane.
Pse miliarderët zgjedhin Zvicrën?
Sipas revistës Bilanz, përjashtimi nga tatimi i disa fitimeve kapitale private, mungesa e tatimit federal mbi trashëgiminë dhe mundësia e taksimit paushall për kategori të caktuara janë ndër faktorët kryesorë që tërheqin super të pasurit në Zvicër.
Stabiliteti politik, ndarja e pushteteve, siguria juridike dhe sundimi i ligjit e bëjnë gjithashtu Zvicrën një destinacion tërheqës për miliarderët në një botë gjithnjë e më të pasigurt./Telegrafi/

