Ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, u ka shkruar rreth 100,000 rezervistëve, ushtarakë, ish-pjesëtarë të forcave të armatosura që mund të rikthehen në shërbim në raste emergjence, duke i nxitur ata të përgatiten për një konflikt të mundshëm. Një masë e tillë nuk ishte ndërmarrë që nga koha e Luftës së Ftohtë.
Në një letër të firmosur nga komandantët e ushtrisë, Marinës Mbretërore dhe Forcave Ajrore (RAF), rezervistëve u kërkohet të përditësojnë të dhënat e kontaktit, të deklarojnë aftësitë dhe punësimin aktual, si dhe të shprehin gatishmërinë për t’iu bashkuar stërvitjeve dhe ushtrimeve ushtarake, përfshirë ato të NATO-s në fillim të vitit 2027.
Ministri britanik i Mbrojtjes e cilësoi këtë masë si një “masë paraprake të nevojshme”, duke theksuar se vendi përballet me një nivel të shtuar kërcënimi.
“Ne po operojmë në një mjedis me kërcënim të shtuar dhe ky nivel gatishmërie, besoj, është një masë paraprake e arsyeshme dhe e nevojshme. Njerëzit duhet ta gjejnë atë qetësuese dhe jo alarmuese. Dua që vendi të jetë vigjilent, jo i alarmuar”, deklaroi ai.
I intervistuar nga BBC , ministri më pas vlerësoi Princin Harry, i cili javën e kaluar tha se ishte “100%” gati të kthehej në uniformë nëse është e nevojshme, duke pasur parasysh “kërcënimin rus”: “Mendoj se ai është një aset i vërtetë për vendin tonë”.
Ai u përpoq të qetësonte opinionin publik, duke deklaruar se qytetarët duhet ta shohin këtë nismë si një garanci sigurie dhe jo si arsye për alarm. Por pavarësisht përpjekjeve të ministrit për të qetësuar publikun lëvizjet në terren po shkaktojnë gjithashtu shqetësim. Forcat Ajrore Britanike, kanë nisur të zhvendosin gjatë natës avionët luftarakë në hangarë, për t’i mbrojtur nga sulme apo sabotime të mundshme. Gjithashtu, po shqyrtohet vendosja e rrjetave kundër dronëve për mbrojtjen e avionëve dhe pajisjeve ushtarake.
Masat vijnë pas paralajmërimeve të shërbimit sekret britanik MI5 dhe Ministrisë së Mbrojtjes për rrezikun e sulmeve apo sabotimeve ruse ndaj industrive ushtarake që furnizojnë Ukrainën. Moska i ka mohuar këto pretendime.

