Përveç humbjes së thellë 5-1 në Ligën e Kampionëve të martën, PSV Eindhoven ka ngritur ankesë zyrtare pranë UEFA-s dhe drejtuesve të Real Madridit për mënyrën se si u trajtuan tifozët e saj në stadiumin “Santiago Bernabeu”, raporton Eindhovens Dagblad.
Sipas mediave holandeze, pakënaqësia në Eindhoven për përvojën e përkrahësve në Madrid ka qenë edhe më e madhe se vetë rezultati i ndeshjes, transmeton IndeksOnline.
PSV fans at the Bernabéu pic.twitter.com/fYBRXlq1JV
— Total Football (@TotalFootball) November 25, 2026
Çështja u trajtua në një takim mes përfaqësuesve të PSV-së, UEFA-s dhe klubit madrilen.
Tifozët mysafirë raportohet se u detyruan të presin mbi një orë jashtë tribunës përpara hyrjes në stadium, iu nënshtruan kontrolleve të përsëritura dhe iu konfiskuan sende pa arsye të qartë.
Vështirësi pati edhe me verifikimin e biletave për shkak të përputhjes strikte të emrit me pasaportën, ndërsa disa anëtarë të së njëjtës familje nuk u lejuan të ulen pranë njëri-tjetrit.
Një zëdhënës i PSV-së kritikoi masat e zbatuara në stadium: “Kishte shumë rregulla arbitrare dhe kjo nuk është mënyra se si ne në Holandë i mirëpresim tifozët mysafirë. Kjo është arsyeja pse na u duk e çuditshme që kjo po ndodhte në Real Madrid”.
Në Madrid udhëtuan rreth 4.000 deri në 4.500 tifozë holandezë, ndërsa në sektorin e mysafirëve u regjistruan 3.875 prej tyre. /IndeksOnline

