Kreu i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, ka njoftuar se po përmbyll angazhimin e tij në këtë institucion, për të vazhduar rrugëtimin profesional në një institucion tjetër të Republikës së Kosovës.
Përmes një shkrimi në Facebook, Dibrani ka shprehur mirënjohje për punonjësit e SHKK-së, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, duke renditur një sërë reformash dhe rezultatesh që, sipas tij, janë realizuar gjatë periudhës së shërbimit të tij.
Ai ka thënë se largohet me krenari për punën e përbashkët dhe me bindjen se pas vetes lë një institucion me kapacitete të fuqizuara dhe reforma të rëndësishme.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës për mua nuk ishte vetëm një institucion ku shërbeva. Ishte një përgjegjësi, një mision dhe një pjesë e rëndësishme e jetës sime”, ka shkruar Dibrani.

