KORREKT / SOT26 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Kosovë-Shqipëri, bashkëpunim përballë kërcënimeve kibernetike

Kosovë-Shqipëri, bashkëpunim përballë kërcënimeve kibernetike

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, mori pjesë në hapjen e konferencës “Sfidat e sigurisë së informacionit në realitetin e TIK-ut”, të bashkorganizuar në Tiranë nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK) i Shqipërisë dhe Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar (AMIK) e Kosovës.

Në këtë konferencë, ku morën pjesë edhe Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Albana Koçiu, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, u diskutua për sfidat e mbrojtjes së informacionit në një realitet që po ndryshon me shpejtësi nga zhvillimet teknologjike, inteligjenca artificiale dhe evoluimi i kërcënimeve kibernetike e hibride.

Ministri Jagxhiu theksoi se transformimi digjital dhe siguria kibernetike duhet të ecin paralelisht. Sa më shumë që digjitalizohen shërbimet dhe proceset qeveritare, aq më e madhe bëhet nevoja për mbrojtjen e sistemeve, të dhënave qeveritare dhe personale, si dhe të infrastrukturës kritike. Siguria duhet të jetë pjesë përbërëse e çdo iniciative të transformimit digjital, që nga faza e projektimit.

Në Kosovë, ky angazhim po konkretizohet përmes Ligjit për Sigurinë Kibernetike, punës për përafrimin e mëtejmë të legjislacionit me Direktivën NIS2 të Bashkimit Evropian, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe themelimit të Qendrës Qeveritare të Operacioneve të Sigurisë (SOC) në kuadër të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit. Krahas kësaj, po investohet në laborator të sigurisë kibernetike, ushtrime, simulime dhe ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve profesionale.

Ministri Jagxhiu vuri në pah se inteligjenca artificiale sjell mundësi të reja për përmirësimin e shërbimeve publike, rritjen e efikasitetit të administratës dhe identifikimin më të shpejtë të kërcënimeve. Por, njëkohësisht, ajo mund të shfrytëzohet edhe për sulme më të sofistikuara dhe më të vështira për t’u identifikuar.

Ai theksoi se rrezik paraqet edhe përdorimi i pakujdesshëm i kësaj teknologjie. Futja e të dhënave të ndjeshme qeveritare, e në veçanti e informacionit të klasifikuar, në platforma të paautorizuara të inteligjencës artificiale mund të çojë në humbjen e kontrollit mbi këtë informacion dhe të ketë pasoja serioze për sigurinë kombëtare. Sipas tij, potenciali i kësaj teknologjie duhet të shfrytëzohet pa cenuar sigurinë e informacionit dhe privatësinë e qytetarëve.

Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, ministri Jagxhiu theksoi se kërcënimet kibernetike dhe hibride nuk njohin kufij shtetërorë. Prandaj, bashkëpunimi sistematik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, shkëmbimi i informacionit, ekspertizës dhe praktikave të mira, si dhe aktivitetet e përbashkëta, janë thelbësore për forcimin e sigurisë së të dyja vendeve.

Në përfundim, ai vlerësoi veçantinë e mbajtjes së kësaj konference të përbashkët në prag të 28 Nëntorit, një datë që kujton historinë dhe vlerat që i bashkojnë dy vendet. Lidhjet historike dhe kombëtare, sipas tij, duhet të reflektohen edhe në bashkëpunimin konkret institucional, veçanërisht në fusha që lidhen me sigurinë, mbrojtjen dhe interesat e përbashkëta strategjike.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.