Industria e drurit në Kosovë është dëshmi e fuqisë transformuese të ndërmarrësisë dhe e potencialit të prodhimit vendor, ka theksuar ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, në Konventën e 9-të të Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës, ku u kremtua suksesi i sektorit dhe u diskutua për mundësitë dhe sfidat.
Sektori i përpunimit të drurit sot ndërthur traditën me teknologjinë, inovacionin dhe prodhimin me vlerë të shtuar. Nga prodhimi artizanal i sofrave, tavolinave dhe mobilieve, industria ka avancuar drejt proceseve të automatizuara, dizajnit modern dhe produkteve konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Përmasat e këtij zhvillimi dëshmohen edhe nga të dhënat e vitit 2025: 519 ndërmarrje në prodhimin e drurit me rreth 2,814 të punësuar dhe mbi 121 milionë euro qarkullim, si dhe 823 ndërmarrje në prodhimin e mobilieve me rreth 5,600 të punësuar.
Ky transformim është rezultat i guximit, investimeve dhe përkushtimit të ndërmarrësve. Hapi i radhës është forcimi i konkurrueshmërisë përmes certifikimit të pyjeve dhe gjurmueshmërisë së lëndës së parë, investimeve në teknologji, aftësimit profesional dhe prodhimit të qëndrueshëm.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me shtetet e EFTA-s, si dhe instrumentet për mbështetjen e prodhimit të mençur dhe industrisë së gjelbër, hapin mundësi të reja për zgjerimin e bizneseve në tregjet evropiane.
Ministria deklaron se mbetet partnere e kësaj industrie me një synim të qartë: më shumë prodhim vendor, më shumë eksporte dhe produkte të Kosovës që dallohen për cilësi, dizajn dhe inovacion.

