Detaje të reja janë zbardhur nga shpërthimi me lëndë plasëse që ndodhi gjatë natës në Lalm të Ri të Lezhës. Gazetari Elvis Hila mëson se banesa ku u vendos tritoli është në pronësi të një gruaje, e cila jetonte aty së bashku me djalin e saj të mitur.
Në momentin e shpërthimit, nëna dhe i mituri ndodheshin brenda banesës, ndërsa lënda plasëse ishte vendosur në verandën e shtëpisë. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar një person, i cili dyshohet se është autori i ngjarjes. Ai është afruar me automjet pranë banesës dhe më pas ka vendosur lëndën plasëse.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa në fokus të hetimeve janë edhe konfliktet e mundshme që pronarja e banesës mund të ketë pasur së fundmi, me qëllim zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarjeje./rtsh.al/

