KORREKT / SOT26 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Pse Zvicra publikon dy shifra të ndryshme të papunësisë? Dallimi arrin në mbi 100 mijë persona

Pse Zvicra publikon dy shifra të ndryshme të papunësisë? Dallimi arrin në mbi 100 mijë persona

Zvicra publikon dy statistika të ndryshme për numrin e personave pa punë, një dallim që mund të krijojë konfuzion lidhur me gjendjen reale të tregut të punës në vend.

Sipas një analize të publikuar nga mediumi zviceran SWI swissinfo.ch, diferenca shpjegohet me mënyrën se si autoritetet i regjistrojnë dhe i llogarisin personat e papunë.

Statistikat e Sekretariatit Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO) përfshijnë kryesisht personat e regjistruar në Qendrat Rajonale të Punësimit (RAV), transmeton Telegrafi.

Ndërkaq, Zyra Federale e Statistikave përdor standardin e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), i cili përfshin edhe personat që kërkojnë punë, por nuk janë të regjistruar në zyrat e punësimit.

Dallimi është i konsiderueshëm. Në dhjetor të vitit 2023, sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave, në Zvicër ishin rreth 205 mijë persona pa punë, ndërsa sipas SECO-s shifra ishte rreth 95 mijë. Pra, një diferencë prej afërsisht 110 mijë personash.

Një arsye e rëndësishme për këtë dallim është se jo të gjithë personat që kërkojnë punë regjistrohen në zyrat e punësimit.

Disa nuk kanë të drejtë të përfitojnë pagesa të papunësisë, ndërsa të tjerë kërkojnë punë pa qenë të regjistruar në sistemin zyrtar.

Për shembull, sipas standardit të ILO-së, në statistika përfshihen edhe persona që kanë ndërprerë përkohësisht aktivitetin profesional, si prindërit që janë larguar për një kohë nga tregu i punës për t’u kujdesur për fëmijët dhe më pas kërkojnë të punësohen sërish.

Edhe përqindjet e papunësisë ndryshojnë ndjeshëm. Në kohën kur është publikuar analiza, SECO raportonte një normë prej 2,4 për qind, ndërsa sipas standardit ndërkombëtar të ILO-së ajo arrinte në 4,2 për qind.

Ekspertët theksojnë se të dyja statistikat janë të sakta, por matin kategori të ndryshme të personave pa punë. Për këtë arsye, shifra e ILO-së konsiderohet më e përshtatshme për krahasimin e papunësisë së Zvicrës me vendet e tjera.

Analiza e SWI swissinfo.ch vëren gjithashtu se papunësia në Zvicër kishte shënuar rritje gjatë vitit 2024, pjesërisht për shkak të dobësimit të ekonomisë ndërkombëtare dhe ndikimit në sektorët eksportues, përfshirë industrinë e orëve./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.