KORREKT / SOT26 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Teknologji

Elon Musk premton aksione të SpaceX për çdo fëmijë në SHBA, donacioni kap vlerën e 18 miliardë dollarëve

Elon Musk premton aksione të SpaceX për çdo fëmijë në SHBA, donacioni kap vlerën e 18 miliardë dollarëve

Miliarderi amerikan Elon Musk ka njoftuar një nismë të pazakontë, duke premtuar dhurimin e dy aksioneve të kompanisë SpaceX për çdo fëmijë në Shtetet e Bashkuara. Vlera totale e këtij donacioni vlerësohet në rreth 18 miliardë dollarë, sipas Reuters.

Përmes një postimi në platformën X, Musk bëri të ditur se njëri prej aksioneve do të sigurohet nga vetë kompania që ai drejton, ndërsa aksionin e dytë do ta dhurojë nga pasuria e tij personale.

“Çdo fëmijë në Amerikë do të marrë dy aksione të SpaceX, një nga kompania dhe një nga unë personalisht”, shkroi Musk.

Njoftimi erdhi pasi SpaceX bëri të ditur se do të emetonte aksione të reja për t’ua dhënë fëmijëve që kanë një llogari aktive në kuadër të programit të njohur si “Trump Accounts”. Musk u zotua se do të kontribuojë gjithashtu me një aksion nga zotërimet e tij personale për secilin përfitues.

Programi “Trump Accounts” synon t’u krijojë amerikanëve nën moshën 18 vjeç mundësinë për të hyrë në tregun e investimeve dhe për të nisur ndërtimin e pasurisë që në moshë të hershme. Sipas të dhënave të bëra publike nga Shtëpia e Bardhë në tetor, ishin hapur rreth 70 milionë llogari të tilla.

Sipas përllogaritjeve, aksionet e SpaceX u mbyllën në vlerën 127.44 dollarë të mërkurën. Kjo do të thotë se çdo fëmijë do të përfitonte aksione me vlerë 254.88 dollarë, ndërsa vlera e përgjithshme e nismës arrin në afro 18 miliardë dollarë.

Every child in America will receive two SpaceX shares, one from the company and one from me personally

— Elon Musk (@elonmusk) November 26, 2026

Megjithatë, ende nuk janë bërë të ditura të gjitha detajet se si do të realizohet shpërndarja e aksioneve dhe nëse përfituesit do të kenë kufizime për shitjen e tyre. SpaceX nuk ka dhënë ende një përgjigje lidhur me mënyrën se si do të administrohet donacioni personal i Musk.

Përtej aspektit filantropik, kjo nismë pritet të krijojë një bazë të gjerë aksionarësh të vegjël të SpaceX, të cilët mund të mbajnë aksionet për një periudhë afatgjatë.

Christopher Brankin, konsulent i tregjeve ndërkombëtare pranë Mitrade Group, vlerësoi se iniciativa mund të krijojë një grup të madh investitorësh të rinj, duke u dhënë atyre mundësinë të njihen më herët me tregjet financiare dhe platformat e investimit.

Musk, pasuria e të cilit vlerësohet në rreth 824 miliardë dollarë, kishte paralajmëruar edhe muajin e kaluar se synonte t’i dhuronte një aksion të SpaceX çdo fëmije në Amerikë. Ai e kishte cilësuar këtë si të parën në një seri donacionesh të ngjashme.

Një pjesë e madhe e aktiviteteve të tij filantropike realizohen përmes Fondacionit Musk, i cili raportohet se zotëron asete me vlerë mbi 14 miliardë dollarë.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.