Kompania Neuralink e miliarderit Elon Musk ka marrë miratimin e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të nisur një studim të avancuar klinik në SHBA, që synon të testojë sigurinë dhe efektivitetin e implantit të trurit N1.
Studimi, i emërtuar LINK, do të përqendrohet te personat e rritur që vuajnë nga skleroza laterale amiotrofike (ALS), një sëmundje neurologjike progresive që shkakton humbjen graduale të kontrollit të muskujve.
Përmes kësaj teknologjie, Neuralink synon t’u mundësojë pacientëve të kontrollojnë pajisjet digjitale vetëm përmes sinjaleve të trurit, pa pasur nevojë të përdorin duart apo të lëvizin.
Kompania nuk ka bërë ende të ditur numrin e pjesëmarrësve në studim dhe as qendrat mjekësore ku do të zhvillohen testimet, raportojnë mediat.
Miratimi i FDA-së shënon një hap të rëndësishëm për Neuralink-un, pasi studimet e këtij lloji janë ndër fazat e fundit të testimeve klinike përpara se një kompani të mund të kërkojë lejen për hedhjen e një pajisjeje në treg.
Megjithatë, ky autorizim nuk nënkupton se implanti është miratuar për përdorim të përgjithshëm apo për shitje. Pajisja vazhdon të jetë në fazën eksperimentale dhe duhet të kalojë nëpër testime të mëtejshme.
Neuralink nisi testimet te njerëzit në vitin 2024, pasi mori miratimin fillestar nga FDA në maj të vitit 2023. Pjesëmarrësi i parë ishte Noland Arbaugh, i cili është i paralizuar nga shpatullat e poshtë dhe mori implantin në janar të atij viti.
Që atëherë, kompania ka zgjeruar studimet edhe në vende të tjera, përfshirë Kanadanë, Britaninë e Madhe dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Krahas teknologjisë që synon t’u mundësojë personave me paralizë të kontrollojnë pajisjet përmes mendimit, Neuralink po zhvillon edhe projekte të tjera, përfshirë Blindsight, që synon të rikthejë shikimin te personat e verbër.
Rezultatet e studimit LINK do të jenë vendimtare për hapat e ardhshëm të kompanisë dhe për mundësinë e marrjes së miratimit përfundimtar nga autoritetet amerikane. /Telegrafi/

