KORREKT / SOT25 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Gjykatësit izraelitë rekomandojnë tërheqjen e akuzave më të rënda ndaj Netanyahut

Gjykatësit izraelitë rekomandojnë tërheqjen e akuzave më të rënda ndaj Netanyahut

Gjykatësit në Izrael i kanë sugjeruar prokurorisë që të shqyrtojë tërheqjen e akuzave për ryshfet ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke vënë në pikëpyetje mundësinë e dënimit të tij në një nga tri rastet e korrupsionit me të cilat përballet.

Sipas raportimeve të mediave izraelite, gjyqtarët i kanë shprehur shqetësimet e tyre prokurores së përgjithshme, Gali Baharav-Miara, gjatë një takimi të pazakontë të mërkurën në Gjykatën e Qarkut në Jerusalem.

Në rastin e njohur si “Rasti 4,000”, Netanyahu akuzohet se ka arritur një marrëveshje të ndërsjellë me aksionarin kryesor të kompanisë më të madhe të telekomunikacionit në Izrael, duke i ofruar favore qeveritare në këmbim të mbulimit pozitiv mediatik. Të dyja palët i kanë mohuar akuzat., raporton BBC.

“Gjasat për një dënim janë të ulëta, në atë masë sa që e arsyetojnë rishqyrtimin e çështjes”, i ka thënë gjyqtarja Rivka Friedman-Feldman prokurores së përgjithshme, raportojnë mediat izraelite.

Gjyqtarët kanë shprehur dyshime edhe për natyrën kriminale të veprimeve të Netanyahut në rastin e dytë, të njohur si “Rasti 2,000”. Në këtë rast, ai akuzohet për një marrëveshje të ngjashme me një tjetër pronar të mediave.

Ndërkaq, në rastin e tretë, “Rasti 1,000”, gjyqtarët kanë lënë të hapur mundësinë e një dënimi. Netanyahu akuzohet se ka vepruar në favor të një miliarderi australian, pasi kishte pranuar prej tij dhurata, përfshirë puro dhe shampanjë.

Megjithatë, gjykatësit i kanë sugjeruar prokurores së përgjithshme që, në interes të publikut, të rishqyrtojë mënyrën se si duhet të vazhdojë procesi gjyqësor.

Baharav-Miara ka thënë se do t'i shqyrtojë rekomandimet e gjyqtarëve.

Netanyahu i ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat dhe të mërkurën ka kërkuar që gjykimi ndaj tij të përfundojë “menjëherë”.

“Dhjetë vjet vuajtje të tmerrshme për mua, familjen time dhe djalin tim. Dhjetë vjet nxitje të urrejtjes që plagos shpirtin”, ka deklaruar ai në një adresim televiziv.

Netanyahu u akuzua për herë të parë në vitin 2019 dhe u bë kryeministri i parë në detyrë i Izraelit që përballet me një proces penal. Procedurat gjyqësore janë zgjatur edhe për shkak të luftës së fundit në Gaza, ndërsa seancat ishin reduktuar për arsye sigurie.

Kryeministri izraelit i ka cilësuar vazhdimisht akuzat si të fabrikuara dhe si pjesë të një përndjekjeje politike ndaj tij.

Çështjet gjyqësore kanë shkaktuar përçarje të thella në politikën izraelite. Për kundërshtarët e tij, frika e Netanyahut nga burgu ka ndikuar në vendimmarrjen e tij si kryeministër dhe e ka bërë atë më të varur nga partnerët e tij të koalicionit të ekstremit të djathtë për të qëndruar në pushtet.

Zhvillimi i fundit mund të përbëjë një përparësi politike për Netanyahun, i cili po përballet edhe me pasiguri për të ardhmen e tij politike, pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura muajin e kaluar.

Sipas raportimit, rivali i tij politik, Gadi Eisenkot, po përpiqet të formojë qeverinë e re, pasi presidenti i Izraelit i ka dhënë atij mundësinë e parë për të krijuar një administratë të re.

Megjithëse blloku parlamentar i Netanyahut fitoi më shumë ulëse se ai i rivalit të tij, asnjëri nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për të formuar i vetëm qeverinë.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.