Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një imperativ strategjik për Evropën, duke theksuar se aktualisht ekziston një momentum i rëndësishëm për avancimin e procesit të anëtarësimit të vendeve kandidate, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka thënë se Bashkimi Evropian është në rrugë të mirë për të hapur dhe përmbyllur mbi 100 kapituj negociues gjatë këtij viti, duke e cilësuar këtë si përparim të jashtëzakonshëm, në një kohë kur situata globale po ndryshon me shpejtësi.
Von der Leyen ka theksuar se ky momentum duhet të shfrytëzohet për të bërë përparim drejt anëtarësimit, por ka nënvizuar se kjo kërkon angazhim nga të dyja palët.
“Jam e bindur se zgjerimi është një imperativ strategjik për Evropën dhe se sot ky momentum është real. Nëse i shikoni të gjitha negociatat që kemi, jemi në rrugë të mirë për të hapur dhe përmbyllur mbi 100 kapituj këtë vit. Ky është një përparim i jashtëzakonshëm dhe vjen në një moment vendimtar. Bota përreth nesh, siç e thatë edhe ju, po ndryshon me shpejtësi. Sa më e fortë dhe më e bashkuar të jetë Evropa, aq më mirë mund t’i përballojmë sfidat. Prandaj, duhet ta shfrytëzojmë këtë momentum dhe ta shndërrojmë në përparim drejt anëtarësimit. Kjo kërkon angazhim nga të dyja palët”, ka deklaruar ajo.
Duke folur për përparimin e vendeve të rajonit, presidentja e Komisionit Evropian ka veçuar Malin e Zi, i cili, sipas saj, po i afrohet përfundimit të negociatave të anëtarësimit, si dhe Shqipërinë, e cila po avancon me një ritëm mbresëlënës.
Ajo ka bërë të ditur se në fillim të këtij muaji janë prezantuar udhërrëfyesit për të dyja vendet, të cilët përcaktojnë prioritetet dhe objektivat e qarta për punën që i pret, duke shprehur dëshirën që edhe vendet e tjera të ndjekin këtë rrugë.
Von der Leyen ka theksuar se paralelisht me procesin e zgjerimit, Bashkimi Evropian po përgatitet edhe brenda institucioneve të tij, duke shqyrtuar ndikimin që zgjerimi do të ketë në institucionet, politikat dhe buxhetin e unionit.
Sipas saj, zgjerimi duhet të jetë i suksesshëm si për shtetet aktuale anëtare, ashtu edhe për ato që synojnë t’i bashkohen BE-së.
Ajo ka nënvizuar gjithashtu se afrimi i qytetarëve dhe ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian nuk duhet të presë deri në anëtarësimin e plotë, duke përmendur integrimin gradual dhe Planin e Rritjes si mekanizma për këtë qëllim.
“Ne duam t’u ofrojmë vendeve të Ballkanit Perëndimor qasje në më shumë përfitime të tregut tonë të përbashkët edhe para anëtarësimit. Për këtë arsye, po hapim sektorë të caktuar, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor ndërmarrin reforma për të krijuar kushte të barabarta konkurrimi. Ky proces reformash shoqërohet me financim nga Bashkimi Evropian dhe tashmë po i shohim rezultatet”, ka thënë ajo.

