Avokatja Aurora Mulhaxha, përfaqësuese ligjore e Valtrim Kelmendit, i është drejtuar redaksisë së IndeksOnline me kërkesë për demantimin dhe korrigjimin e një lajmi, në të cilin është raportuar se klienti i saj është arrestuar dhe ka ikur pasi ka shtënë me armë.
Përmes një reagimi, Mulhaxha ka thënë se raportimi nuk është i vërtetë dhe se përmban pasaktësi që, sipas saj, dëmtojnë reputacionin, dinjitetin dhe imazhin e klientit të saj.
Ajo ka sqaruar se Valtrim Kelmendi nuk është arrestuar për ndonjë rast të shtënies me armë dhe as nuk ka ikur nga vendi i ngjarjes, siç është raportuar në artikullin e publikuar.
Reagimi i plotë:
Të nderuar përfaqësues të redaksisë së IndeksOnline,
Unë, Aurora Mulhaxha, avokate në Pejë dhe përfaqësuese ligjore e z. Valtrim Kelmendi, ju drejtohem lidhur me publikimin e lajmit në portalin tuaj, ku është raportuar se Valtrim Kelmendi është arrestuar dhe se ka ikur pasi ka shtënë me armë.
Ju njoftoj se ky raportim nuk është i vërtetë dhe paraqet një pasqyrim të pasaktë të ngjarjes, duke dëmtuar drejtpërdrejt reputacionin, dinjitetin dhe imazhin e klientit tim.
Për sqarim të opinionit publik, Valtrim Kelmendi nuk është arrestuar për ndonjë rast të tillë të shtënies me armë dhe nuk ka ikur nga vendi i ngjarjes, siç është pretenduar në publikimin tuaj. Përkundrazi, vetë klienti im, në cilësinë e palës së ftuar lidhur me një rast të dyshimit për kanosje, është paraqitur në seancë gjyqësore, ku unë kam qenë e pranishme në cilësinë e mbrojtëses së tij.
Konsideroj se publikimi i informacioneve të pavërteta, pa verifikimin e duhur të fakteve, cenon rëndë të drejtat dhe reputacionin e një qytetari dhe krijon një perceptim të gabuar te publiku.
Prandaj, kërkoj nga redaksia juaj:
- Demantimin e menjëhershëm të informacionit të publikuar.
- Korrigjimin e lajmit dhe largimin e pretendimeve të pavërteta.
- Publikimin e sqarimit me dukshmëri dhe hapësirë të njëjtë me lajmin fillestar.
Në rast të mosveprimit, klienti im rezervon të drejtën për të ndërmarrë të gjitha veprimet juridike për mbrojtjen e reputacionit dhe të drejtave të tij ligjore.
Presim trajtim serioz dhe korrekt të kësaj kërkese, në përputhje me standardet profesionale dhe etike të gazetarisë.

