Përfaqësuesja e Listës së Studentëve, Sara el Sarag, ka folur për integrimin evropian të Serbisë, prioritetet e politikës së jashtme, raportet me Rusinë dhe çështjen e Kosovës, në një intervistë për emisionin e mëngjesit “Europe Today” të Euronews.
Intervista u zhvillua në ditën kur po mbahej samiti Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, ku pritej të merrte pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Serbisë dhe ushtruesi i detyrës së presidentit, Aleksandar Çupiç. Megjithatë, ai njoftoi Komisionin Evropian se nuk do të ishte i pranishëm, raporton Euronews, transmeton IndeksOnline.
E pyetur se si mund ta bindë Serbia Brukselin për përkushtimin e saj ndaj integrimit evropian, kur udhëheqja e re nuk arriti të përfaqësohej në një takim kaq të rëndësishëm, el Sarag tha se prioritet aktual është përfundimi i seancës konstituive të Kuvendit.
“Sepse sot duhet ta përfundojmë seancën konstituive dhe ky është prioriteti ynë për momentin. Shpresoj që ajo të përfundojë sot dhe ftesa për të do të përsëritet. Nuk ka asgjë personale. Fillimisht duhet t’i kryejmë këto punë”, deklaroi ajo, duke shprehur keqardhje për mungesën e Çupiçit.
Sipas shpjegimit të dhënë në intervistë, arsyeja lidhet me rrethanat institucionale, pasi Çupiç është aktualisht zyrtari i vetëm i administratës së re që mban njëkohësisht funksionin e kryetarit të Kuvendit dhe ushtruesit të detyrës së presidentit të Republikës.
Duke folur për perspektivën e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe nëse Brukseli është vërtet i gatshëm të pranojë anëtarë të rinj, apo nëse zgjerimi po mbetet vetëm një slogan politik, el Sarag tha se në Serbi tashmë kanë ndodhur ndryshime politike, por se nevojitet kohë për të dëshmuar drejtimin e udhëheqjes së re.
“Besoj se kemi ndryshuar diçka, kemi ndryshuar mënyrën e të menduarit të njerëzve në Serbi, gjë që është diçka e re në skenën politike. Mendoj se na duhet pak kohë për të dëshmuar se në cilin drejtim po shkojmë”, u shpreh ajo.
Megjithatë, paqartësitë u shfaqën kur ajo u pyet për orientimin e ardhshëm të politikës së jashtme të Serbisë dhe nëse vendi do t’i përafrojë qëndrimet me Bashkimin Evropian, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, apo do të vazhdojë të mbajë raporte me Brukselin dhe Moskën.
El Sarag e kundërshtoi mënyrën se si ishte formuluar pyetja, duke thënë se Serbia nuk dëshiron të krijojë armiq me asnjë shtet.
“Mendoj se kjo pyetje nuk është e drejtë, sepse ne nuk duam të krijojmë armiq. Duam të jemi miq me të gjitha shtetet, nëse është e mundur, natyrisht”, tha ajo.
E pyetur se si mund të bëhet Serbia anëtare e Bashkimit Evropian, duke ruajtur njëkohësisht marrëdhëniet me Rusinë dhe presidentin rus Vladimir Putin, të cilin BE-ja e konsideron kërcënim të madh për sigurinë evropiane, përfaqësuesja e Listës së Studentëve vuri në pikëpyetje nëse integrimi evropian duhet të nënkuptojë domosdoshmërisht zgjedhjen e një ane kundër tjetrës.
“Jam juriste dhe, sinqerisht, nuk e kuptoj pse duhet të jemi armiq me dikë nëse po i bashkohemi Bashkimit Evropian. Pse duhet të mbajmë anën e dikujt?”, deklaroi el Sarag.

