Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka ftuar Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) në një takim në Athinë, më 3 dhe 4 dhjetor, ku temë diskutimi do të jenë ngecjet në organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 po përballen me sfida, ndërsa situata pritet të diskutohet edhe në nivel ndërkombëtar.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar se është ftuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare për një takim që do të mbahet më 3 dhe 4 dhjetor në Athinë të Greqisë.
Në këtë takim do të diskutohen ngecjet në procesin e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, të cilat janë paraparë të mbahen në Kosovë.
Pas përfundimit të takimit, drejtuesit e KOK-ut do të raportojnë para Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 lidhur me diskutimet e zhvilluara dhe hapat e mëtejmë që pritet të ndërmerren.
Pavarësisht sfidave aktuale, KOK-u ka ritheksuar përkushtimin e tij që kjo ngjarje e madhe sportive të organizohet në Kosovë.
“Komiteti Olimpik i Kosovës mbetet plotësisht i përkushtuar që Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 të mbahen në Kosovë. Suksesi i LM Prishtina 2030 do të varet nga përkushtimi i të gjitha institucioneve të përfshira”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.
Takimi në Athinë pritet të jetë i rëndësishëm për të diskutuar gjendjen aktuale të përgatitjeve dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm drejt realizimit të projektit më të madh sportiv të planifikuar ndonjëherë në Kosovë. /Telegrafi/

