Psikologia Florentina Dushi ka komentuar pjesëmarrjen e prindërve në “Big Brother VIP Kosova”, duke folur për ndikimin që ekspozimi publik mund të ketë te fëmijët e tyre.
E ftuar në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, Dushi tha se prindërit duhet të vendosin se deri në çfarë mase duan t'i ekspozojnë fëmijët në publik.
“Prindërit, kur bëjnë një karrierë publike, duhet të marrin një vendim se sa duhet ta ekspozojnë fëmijën në publik. Kemi shumë persona publikë të cilët kanë zgjedhur të mos lejojnë që jeta e tyre publike të ndikojë në jetën private.
Në momentin që je person publik, jo të gjithë të duan, jo të gjithë flasin mirë për ty dhe jo të gjithë kanë mendime pozitive. Prandaj, është vendim i prindërve nëse dhe sa duan të flasin për fëmijët e tyre.
Ka raste kur fëmijët përdoren si një element për të nxitur emocionet e publikut. Dhe kur fillojnë komentet, janë prindërit ata që duhet ta ndalin këtë ekspozim. Pse përdoren fëmijët? Për të ngjallur sentiment dhe për të ndikuar te publiku”, ka thënë ajo.
Dushi shtoi se ekspozimi i fëmijëve mund të jetë i pranueshëm deri në një masë, nëse bëhet me qëllim përgatitjen e tyre për një jetë publike, por theksoi se duhet pasur parasysh edhe mënyra se si ata mund t'i përballojnë komentet dhe reagimet e publikut, transmeton Klankosova.tv.
"Nga ana tjetër, deri në një masë, ekspozimi mund të jetë në rregull nëse bëhet me një qëllim të caktuar, për shembull, për ta përgatitur fëmijën për një jetë publike.Por ne, si të rritur, jo gjithmonë arrijmë t'i menaxhojmë komentet dhe reagimet e publikut. Prandaj, duhet të mendojmë edhe se si mund t'i përballojë dhe menaxhojë këto situata një fëmijë.", ka thënë ajo.
Për më shumë,ndiqeni videon e mëposhtme:

