Një studim i madh në Britaninë e Madhe ka zbuluar ndryshime të dukshme në jetën seksuale të të rinjve dhe të rriturve, duke treguar se gjithnjë e më shumë persona po kryejnë marrëdhënie seksuale më rrallë, ndërsa përdorimi i pornografisë dhe komunikimi me përmbajtje seksuale në internet janë të përhapura, sipas BBC.
Sipas studimit kombëtar mbi qëndrimet dhe mënyrën e jetesës seksuale (Natsal), rreth një e treta e të rinjve të moshës 16 deri në 24 vjeç nuk kanë kryer kurrë marrëdhënie seksuale. Kjo shifër është rritur krahasuar me studimin e mëparshëm, të realizuar 12 vjet më parë, kur kjo kategori përbënte rreth një të pestën e të rinjve, transmeton klankosova.tv.
Në të njëjtën kohë, gjysma e personave të kësaj grupmoshe kanë dërguar ose pranuar fotografi me përmbajtje seksuale përmes telefonit gjatë vitit të fundit.
Studimi tregon gjithashtu se gjysma e vajzave dhe rreth 86 për qind e djemve të moshës 16 deri në 24 vjeç kanë shikuar pornografi.
Në përgjithësi, 37 për qind e grave dhe rreth 81 për qind e burrave në Britani kanë deklaruar se kanë shikuar pornografi gjatë vitit të fundit.
Ndërkohë, edhe të rriturit nën moshën 45-vjeçare po kryejnë marrëdhënie seksuale më rrallë. Mesatarisht, ata kanë marrëdhënie rreth dy herë në muaj, krahasuar me një herë në javë në vitin 1990.
Studiuesit theksojnë se përdorimi i pornografisë dhe masturbimi janë më pak të zakonshme te personat që nuk kanë kryer kurrë marrëdhënie seksuale. Kjo, sipas tyre, sugjeron se aktivitetet seksuale individuale dhe ato në internet nuk janë domosdoshmërisht zëvendësim i marrëdhënieve seksuale në çift.

