Dy burra nga Shqipëria janë arrestuar nën dyshimin se kanë hyrë pa autorizim në pronën e Princit William dhe bashkëshortes së tij, Catherine.
Sipas raportimeve të mediave britanike, njëri nga të dyshuarit dyshohet të jetë emigrant pa dokumentacion të rregullt qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas raportimeve, dy të dyshuarit mund të mos e kenë ditur se prona i përkiste Princit William dhe Kate, ndërsa dyshohet se kishin për qëllim kryerjen e një vjedhjeje. Megjithatë, autoritetet po kryejnë verifikime për të përcaktuar nëse pas hyrjes së paautorizuar mund të ketë pasur ndonjë motiv tjetër, transmeton klankosova.tv.
Dyshohet se personat, të cilët kishin fytyrat e mbuluara, aktivizuan sistemet e sigurisë së rezidencës, të cilat përfshijnë kamera mbikëqyrëse, teknologji lazer dhe sensorë të lëvizjes, para se të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Hetimet për rastin po vazhdojnë, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë rrethanat dhe motivet e mundshme të hyrjes në rezidencën mbretërore.

