Komuniteti shqiptar në Quinto di Treviso të Italisë ka kremtuar Festat e Nëntorit me një program të pasur kulturor e artistik, nën organizimin e shoqatës “Shën Nënë Tereza”.
Në këtë festë morën pjesë Konsulli i Përgjithshëm, Rexhep Bajraktari, si dhe shumë bashkatdhetarë, të cilët u bashkuan për të shënuar datat më të rëndësishme të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Atmosfera festive u shoqërua me muzikë shqiptare, valle tradicionale dhe interpretime artistike. Një vëmendje e veçantë iu kushtua fëmijëve, të cilët përmes valleve dhe paraqitjeve të tyre artistike sollën emocione te të pranishmit, transmeton Telegrafi.
Gjatë aktivitetit u rikujtua edhe rëndësia e Ditës së Alfabetit Shqip dhe Kongresit të Manastirit të vitit 1908, ku 37 delegatë kontribuuan në njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, duke shënuar një moment historik për kulturën dhe arsimin kombëtar.
Përmes këtij organizimi u përcoll mesazhi se ruajtja e gjuhës shqipe, kulturës dhe traditave kombëtare nis që në fëmijëri dhe duhet të përcillet te brezat e ardhshëm, pavarësisht vendit ku jetojnë shqiptarët.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit u vlerësuan për angazhimin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar shqiptar në diasporë./Telegrafi/

