Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova është shtet më vete, por jo e pavarur nga kombi shqiptar, duke i cilësuar marrëdhëniet me Shqipërinë si vëllazërore dhe strategjike.
Këto deklarata Kurti i bëri në pritjen solemne të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
“Republika e Kosovës është më vete, por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar, prandaj marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë i kemi konsideruar gjithnjë vëllazërore dhe strategjike për kombin tonë mbarë”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë të ditur se ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar, zbatuar apo janë në proces zbatimi gjithsej 190 marrëveshje, në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, ekonominë, energjinë, infrastrukturën, shëndetësinë dhe sigurinë.
Në fjalimin e tij, Kurti ka theksuar edhe synimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, ndërsa ka përmendur edhe bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane.
Në fund të fjalimit, Kurti ka përmendur edhe ngjarjet që i cilësoi si themele të kombit shqiptar, përfshirë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Kongresin e Manastirit, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe daljen e parë publike të UÇK-së.
“Uroj të gjithë qytetarët e Kosovës, të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe të gjithë miqtë tanë të huaj për Ditën e Flamurit, që simbolizon vullnetin e kombit për mëvetësi, liri e pavarësi”, ka përfunduar Kurti.

