Përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti, ka kritikuar punën e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke e akuzuar se gjatë viteve të fundit ka përkrahur veprimet e KEDS-it dhe KESCO-s, në vend se të mbikëqyrë dhe parandalojë parregullsitë në sektorin e energjisë.
Duke komentuar raportimin e ZRRE-së para komisionit parlamentar, Ahmeti tha se ky institucion ka pasur rol më shumë vëzhgues dhe përkrahës të veprimeve negative, ndërsa shprehu kënaqësinë që shqetësimet për çmimet e larta të importit të energjisë elektrike u ngritën nga deputetë të të gjitha partive politike.
I ftuar në "FIVE" në Dukagjin, Ahmeti, mes tjerash, përshëndeti edhe nisjen e hetimeve nga Prokuroria lidhur me këto shqetësime.
“ZRRE-ja ka një rol shumë të rëndësishëm në kuptimin e ligjit, ndërsa në kuptimin e punës më shumë është në rolin e vëzhguesit dhe përkrahësit të veprimeve negative që kanë ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve. Më vjen mirë që në komision sot kishte debat dhe kjo çështje u ngrit nga deputetët e të gjitha partive politike, pasi kishte një sërë vërejtjesh. Më vjen mirë që Prokuroria ka nisur hetimet lidhur me shqetësimet e shumta që kemi pasur në përgjithësi sa i përket çmimeve të larta që ishin të importit të energjisë elektrike”, u shpreh Ahmeti.
Ai theksoi se, sipas tij, ZRRE-ja ka qenë më shumë në përkrahje të KEDS-it dhe KESCO-s sesa në përmbushjen e rolit të saj mbikëqyrës.
“ZRRE-ja më shumë ka qenë përkrahëse e KEDS-it edhe KESCO-s në këtë rast, sesa që ka qenë një lloj kupole që e ka përgjegjësinë me monitoru edhe me pa se ku po ndodhin padrejtësitë”, deklaroi ai.
Ahmeti kritikoi edhe përgjigjet e bordit të ZRRE-së gjatë raportimit në komision, duke thënë se për disa çështje të rëndësishme nuk pati sqarime, përfshirë importin e energjisë dhe liberalizimin e tregut.
Ai kërkoi nga Kuvendi që të ndërmarrë masa ndaj bordit të këtij institucioni.
“Për mua nuk është vetëm me dalë dhe me bë raportim, pasi për shumë raste të rëndësishme nuk patën përgjigje. Bordi që është më gjatë aty nuk patën përgjigje as për importin, as për çështjen e liberalizimit të tregut e shumë çështje me rëndësi dhe nuk e di se pse Kuvendi ende po i mbanë në detyrë ata. Do të duhej qysh sot me i dërgu në shtëpi”, u shpreh Ahmeti.

