Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, në cilësinë e Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, vizitoi sot për herë të parë FSK-në, ku u prit me ceremoni ushtarake nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Gjatë vizitës, Shiroka-Pula zhvilloi takim me komandantin e FSK-së, ku u njoh nga afër me zhvillimin e Forcës, misionin, strukturën organizative, kapacitetet njerëzore, pajisjet, armatimin, infrastrukturën, operacionet dhe sfidat e saj, transmeton IndeksOnline.
“Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i dhuroi Presidentes Shiroka Pula uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në shenjë nderimi në cilësinë e saj si Komandante Supreme”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se presidentja zhvilloi gjithashtu takim me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me të cilin diskutoi për investimet në modernizimin e FSK-së, përfundimin e procesit të tranzicionit dhe zhvillimin profesional të pjesëtarëve të saj.
“Ajo vlerësoi rritjen e investimeve në mbrojtje dhe përparimin në zhvillimin e FSK-së, duke theksuar rëndësinë e pajisjeve moderne, infrastrukturës, trajnimit cilësor dhe aftësive operacionale. Në takim u diskutua edhe për mirëqenien e pjesëtarëve të FSK-së, përfshirë kompensimin e punës jashtë orarit, shtesat për rrezikshmëri, sigurimin shëndetësor dhe zbatimin e të drejtave të tyre ligjore”, u tha në njoftim.
Në përmbyllje të vizitës, Shiroka Pula drekoi me pjesëtarë të FSK-së në kuzhinën e kazermës “Adem Jashari”, ku bashkëbisedoi me ushtarakët dhe ushtaraket për shërbimin, përvojat dhe sfidat e tyre.

