Një burrë nga Idaho e SHBA-së ka vendosur një rekord të ri botëror në një kategori të pazakontë, duke përshkuar 31.8 kilometra me rollera në linjë, ndërsa zhonglonte me tri objekte.
David Rush, i cili mban disa rekorde të Guinnessit në zhonglim, ka realizuar sfida të mëparshme duke zhongluar mbi një biçikletë njërrotëshe, një dërrasë me rrota dhe një top zviceran.
Megjithatë, ai tha se përpjekja për të përshkuar distancën më të madhe me patina në linjë duke zhongluar ishte sfida më e vështirë deri më tani, transmeton Telegrafi.
“Kur zhonglon dhe bën rolling, edhe një guralec sa një bizele mund ta bllokojë rrotën, të prishë ritmin dhe t’i japë fund muajve të përgatitjeve brenda gjysmë sekonde”, shkroi Rush në internet.
Ai tregoi se kur kishte nisur stërvitjen për këtë rekord, para tre vjetësh, distanca që duhej tejkaluar ishte 5,000 metra. Fillimisht, ai arriti ta thyente rekordin duke përshkuar një milje, por më pas e humbi atë dhe vendosi të synonte një distancë shumë më të madhe.
– YouTube www.youtube.com
“Rekordet e qëndrueshmërisë nuk fitohen ditën e përpjekjes, por gjatë muajve të përgatitjeve fizike dhe pastrimit të pistës me fshesë e fryrëse gjethesh në mëngjes. Kur eliminon faktorët që mund t’i kontrollosh, gjithçka që mbetet është të mos dorëzohesh kur fillon dhimbja”, tha Rush.
Për përpjekjen zyrtare, më 18 tetor 2025, ai pastroi vetë një segment prej rreth 1.2 kilometrash të një shtegu betoni përgjatë zonës Boise Greenbelt.
Rush arriti të përshkonte gjithsej 31,816 metra, apo 19.77 milje, duke zhongluar vazhdimisht me tri objekte. Përpjekja përfundoi kur lodhja bëri që t’i binte njëra prej topave.
Rekordi i tij tashmë është konfirmuar nga Guinness World Records, duke tejkaluar me më shumë se gjashtë herë rezultatin e mëparshëm. /Telegrafi/

