Ajax ka nisur një interes konkret për talentin e ri shqiptar Dominik Thaqi, futbollist i Rijekës, duke e futur atë në radar për të ardhmen.
Lajmi është konfirmuar nga agjenti i lojtarit, Matej Skegro, i cili bëri të ditur se klubi nga Amsterdami ka pyetur për situatën e Thaqit që nga dita e martë.
Thaqi i përket gjeneratës 2007–2008 dhe ende nuk është titullar i rregullt, por shihet si një projekt shumë premtues për shumë klube. Më parë, edhe Liverpooli e ka monitoruar nga afër përmes skautëve.
Pikërisht për këtë arsye, disa klube evropiane – përfshirë Ajaxin – po tentojnë ta sigurojnë herët, para se vlera e tij në treg të rritet ndjeshëm.
Ajax njihet për filozofinë e tij të investimit në talente të reja dhe zhvillimin e tyre afatgjatë, ndërsa profili i Thaqit përputhet me këtë strategji. Interesimi aktual konsiderohet kryesisht si fazë vëzhgimi dhe informimi, por nuk përjashtohet që në muajt e ardhshëm të konkretizohet me hapa më seriozë.
Para disa muajsh, Thaqi ishte kontaktuar nga FFK për të luajtur për Kosovën, por ai ende nuk ka dhënë përgjigje. Aktualisht, ai aktivizohet me Kroacinë U19. /Telegrafi/